Nongrata Sali Berisha, rimerr kreun e PD-së!

Shkruan: Medai Shaholli

Dje grupi i ‘Rithemelimit’ pranë PD, ka zhvilluar një proces zgjedhor farsë për zgjedhjen e kreut të partisë mes dy kandidatëve si Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, ku militantët fanatikë të arrakatur të PD-së, pa u kalamendur kanë rizgjedhur në mënyrë ‘demokratike’ në krye të partisë personin e paduhur për t’i udhëhequr në betejat e së nesërmes ‘për liri dhe demokraci’ plakushin nongrata Sali Berishën.

Kësisoj, e ardhmja e PD-së me plakun plangëprishës dhe gërnjar Saliun në krye, ajo nuk duket e sigurtë pasi si nongrata ai po sfidon hapur SHBA-në, për rrjedhojë po rrezikon ta gropos atë si forcë politike! Pasi mori votat e mbështetësve të tij demokratë plakushi nongrata Sali Berisha, ‘ngjeshi’ menjëherë jataganët në brez duke i shpallur kësisoj luftë ‘imperialistëve amerikanë’ dhe gjithë ‘armiqëve’ të tij, se do t’i ‘shkonte në shpatë’ gjithësecilin që do i dilte përpara në sheshin Skënderbej të mbushur përplot me ‘horra dhe lavirre bulevardi’!

Ndodhi ajo që pritej që nga fillimi i ‘foltores’, se Saliu nuk do t’ia linte kreun e PD-së askujt dhe se me çdo çmim do ta rimerrte atë fron të ‘mbretit’ si justifikim para ndërkombtarëve për njollën e nongratës se është i ‘ndershëm’ ndaj shqiptarët i besojnë atij si lider dhe askujt tjetër. Ky është një lajm i keq dhe një ogur i zi për PD-në, ku me ardhjen në krye të demokratëve, Sali Berisha ka vënë në rrezik edhe fatin e Partisë Demokratike.

Kohë më parë Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ia ka bërë të qartë se ‘SHBA do të ndërpresë marrëdhëniet me PD, nëse kreun e saj do e merrte Sali Berisha’. Përkundër këtij paralajmërimi, plakushi grindavec nuk u ndal duke e sfiduar hapur SHBA-në që e futi në listën e zezë si person nongrata. Tani e tutje PD-ja do të ketë në krye të saj plakushin ‘Mere’ që mezi e mbajnë këmbët nëpër salla e podiume, u premton ‘të ardhme të ndritur’ çdo demokrati se nën udhëheqjen e tij Shqipëria do të ndryshojë dhe se së shpejti ‘i gjati’ dhe shpura e tij do të marrin tatëpjetën, ku ‘Shqipëria dhe shqiptarët do të çlirohen një herë e mirë nga narko shteti’ i Edvin Ramës.

Kështu, militantët e harbuar demokratë përkundër sugjerimeve të ‘imperialistëve amerikanë dhe socialimperialistëve europianë’ që të mos zgjedhin një nongrata në krye të partisë, ata rizgjodhën rrangullën e vjetër plakushin Sali, si lider të tyre në katër vitet e ardhëshme i cili do t’i udhëheq në ‘betejat e ashpra deri në fitore kundër administratës amerikane’ dhe europianëve të djallosur! Mbetet për t’u parë sesi një plakush i hardallosur apo një kapiten i vetmuar mbi një anije të braktisur në det të hapur, do ta përballojë betejën e ashpër pakompromis kundër ‘imperializmit amerikan’ në javët dhe muajt që do të vijnë!