Mos e “masakroni” për së dyti Sopotin!

Blerim Hyseni

Kur në vitin 2023 u inaugurua Kompleksi Memorial kushtuar 64 martirëve të masakruar nga hordhitë serbe në nëntor të vitit 1944 në fshatin Sopot, u bë hataja! Nuk pati media që nuk u mor me Sopotin. Por, për fat të keq, shumë pak u interesuan për historinë e vërtetë të këtij fshati dhe për tragjedinë që përkujtonte ai kompleks. Të gjithë nxituan pas ndonjë pike politike, ndërsa mediat në gjuhën shqipe, ndonëse të ftuara, pothuajse e bojkotuan tërësisht ngjarjen.

Ajo që ishte edhe më e habitshme ishte se ngjarja u aktualizua vetëm dy ditë më vonë, në mënyrë krejtësisht të instrumentalizuar, fillimisht nga mediat maqedonase dhe opozita e atëhershme maqedonase, e më pas edhe nga opozita e atëhershme shqiptare, e shoqëruar nga mediat në gjuhën shqipe.

Në vend që të flitej për masakrën, për 64 njerëzit e pafajshëm të vrarë, për gra, pleq e fëmijë, të moshës nga 7 deri në 82 vjeç, vëmendja u zhvendos te një hartë e vendosur në oborrin e shtëpisë muze dhe te çështja nëse kishte apo jo leje ndërtimi. Kjo, ndonëse viktimat e kësaj masakre kishin qëndruar deri në vitin 2008 të groposura në një varrezë masive.

A nuk është kjo dëshmi se si një tragjedi historike mund të shtrembërohet dhe të shndërrohet në instrument të përplasjeve politike? E dini pse ndodhi kështu? Sepse interpretimin e parë dhe drejtimin e debatit e përcaktuan kryetari i Komunës së Kumanovës, opozita maqedonase dhe mediat në gjuhën maqedonase. Ndërsa mediat në gjuhën shqipe dhe opozita e atëhershme shqiptare, sot pjesë e pushtetit, në vend që ta trajtonin ngjarjen me përgjegjësi historike, u vunë në ndjekje të tyre, duke kërkuar ndonjë përfitim të ulët politik.

Madje, mediat maqedonase shkuan edhe më larg, duke e krahasuar hartën e Sopotit me atë të paraqitur në Tetovë, ku policia kishte ndërmarrë veprime ndaj autorit, ndërsa në Sopot, sipas tyre, nuk ishte ndërmarrë asgjë! Mos harroni se Sopoti është “masakruar” edhe një herë në vitin 2003, përmes një procesi të rëndë, ku fshatarëve iu ngarkuan akuza që lanë pasoja të rënda për ta. Prandaj, nuk është e rastësishme që çdo zhvillim në këtë fshat shpeshherë merr ngarkesë politike dhe interpretohet me një ndjeshmëri të veçantë nga qarqe të caktuara maqedonase. Pozita gjeografike e Sopotit dhe pesha e historisë së tij nuk janë të panjohura për askënd.

Këtë e kuptoj. Ajo që nuk mund dhe nuk dua ta kuptoj është sjellja e disa individëve shqiptarë, të cilët, ndoshta edhe pa vetëdije, shpesh here bëhen pjesë e skenarëve që dëmtojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e viktimave. Mungesa e vetëdijes nuk mund të jetë gjithmonë alibi, aq më pak kur bëhet fjalë për një tragjedi të përmasave të tilla.

Tendencat e qarqeve të frymëzuara nga politika proserbe mund t’i kuptoj, por kur të njëjtin avaz e ndjekin edhe shqiptarët, kjo është e pafalshme! Dhe ja ku jemi sot: këtë vit, asnjëra nga mediat nuk e shënoi përvjetorin e masakrës. Mediat maqedonase nuk e panë të arsyeshme ta aktualizojnë, ndërsa për mediat shqipe, me sa duket, nuk kishte më asnjë interes.

Kjo tregon se sa e pavërtetë ishte gjithë ajo zhurmë e vitit 2023. Kur kishte përfitim politik, Sopoti ishte në ballë të lajmeve, kur duhej nderuar kujtimi i 64 martirëve, heshtja ishte totale!

Mesazhii m eshte shume i thjeshte, para se të flisni për Sopotin, vizitojeni atë! Njiheni historinë, përkuluni para kujtimit të viktimave dhe pastaj merrni guximin të flisni. Mos e përdorni dhimbjen e këtij fshati për ambicie të ulëta politike.

Sopoti është i vogël në hartë, por i madh në histori. 64 martirët nuk janë dekor për fushata politike, as material për tituj mediatikë dhe as instrument për pazare politike. Ata meritojnë respekt, jo manipulim, kujtesë, jo propagandë, drejtësi historike, jo heshtje selektive. Mos e masakroni për së dyti Sopotin! Sepse ata që e shfrytëzojnë historinë vetëm kur u leverdis, nuk po mbrojnë as viktimat, as të vërtetën po ekspozojnë vetëm fytyrën e tyre!