Një ngjarje drithëruese në Kerçovën time

Arbër Çeliku
Gjithmonë të hënën unë përpiqem t’i kryej punët e mbetura nga java e shkuar. Sot, me t’u ngritur nga gjumi, vendosa të shkoj në spital, për ta marrë dozën e dytë të vaksinës anti-Covid, meqë isha vonuar shumë shkaku i infektimit me virusin e pështirë. Mjeku u mundua të më bindë, që ta shtyej, së paku, edhe 2 javë, por unë e kisha vendosur tashmë dhe në fund e mora. Dola nga spitali, i hipa veturës dhe fillova të ndiej një nxehtësi, e cila më vinte nga koka. U ndala në një lokal të qytetit, që të pi një kafe dhe një gotë ujë. U ula në një tavolinë në terracë, ku dy tavolina ishin të zëna. Në njërën ndodheshin disa persona që njihen si aktivistë partiakë dhe ngjitur me ta, një burrë i moshuar, zotëri i vërtetë nga pamja, të cilin e njihja si fytyrë. Nuk shkoi shumë, dy nga aktivistët partiakë u ngritën dhe mbeti vetëm njëri, i cili në opinionin kërçovar njihet si njeri i fuqishëm. Ai iu drejtua zotëriut të moshuar me fjalët: “Katundi na ka mbetur bosh”, që më bëri të kuptoj se ishin nga i njëjti fshat. “Po, po”, ia ktheu ai, “por jo vetëm katundi, këtu gjithçka është rrumpallë. Shokët e tu të luftës (nuk e dija se ai kishte qenë edhe në luftë), sot dergjen burgjeve”. Ai foli diçka si nëpër dhëmbë dhe, bishtin ndër shalë, u ngrit, me preteksin se kishte të kryente disa punë. “E shikove si u ngrit”, m’u drejtua mua, teksa unë po e pija gllënkën e fundit të ujit. “Këta mendojnë se ne hamë barë. Kerçova është vend i vogël dhe dihet kush jemi të gjithë”. Unë i ofrova një pije, por nuk deshi. Kur u ngrita, më tha: “Ka kohë që t’i lexoj shkrimet dhe të lumtë!”, kurse unë pandehja se ai nuk më njihte. Aty për aty nuk m’u dha t’i thosha, por po i them tani përmes këtij shkrimi: “Të lumtë ty Xhaxha”!