Një burrë pati dy gra, njëra emrin Ahirete, e tjetra Dynja

Mezi kam pritur ta rrëfej këtë gjë
Është diçka që në heshtje më nuk mund ta lë
Njëherë një burrë kishte dy gra
Njërën Ahirete, e tjetrën Dynja
Trupi e shpirti ia donte sevdanë
Herë me Ahireten e herë me Dynjanë
Bobo Haj medet, ç’e zuri belaja
Se hiç Ahireten s’e donte Dynjaja
E as Ahiretes fare mirë s’i vinte
Gjumi me Dynjanë burrin kur e zinte
Po ç’ti bësh Dynjasë, kishte shumë të mira
E aq sa kish’ të mira, kishte dhe dëshira
Kur i qasej burri, e harronte veten
Edhe pse nuk ndahej dot me Ahireten.

“Ore, sa zemra ke ti?” – i thoshte Ahiretja,
Pse thua “Të dua!” e shkon te ajo tjetra?
Me gjysmën e zemrës s’mund të dashurosh
Te unë do të kthehesh, këtë t’mos e harrosh.”
Sapo Ahiretja dëshirat ia mbyste,
Përkdhelazi Dynjaja të shkretin e pyeste:
“Ore, je burrë ti apo kalama?
A nuk je i zoti ta mbash këtë Dynja
E bukur, e qeshur, e freskët sa më s’ka,
Ti je një i vetëm, ç’të duhen dy gra?
Madje ajo tjetra kërkon më shumë mund
Kënaqe veten tënde, mos mendo për fund,
Dhe i mbushej mendja, por i zbrazej zemra
Nuk ështe rehat koka, kur ferra ka thembra.

E bardhë si qumësht, e ëmbël si mjaltë
E çonte Ahiretja në Qiellin e Shtatë
Nga kjo Dashuri burri të mos dehej
E thërriste Dynjaja në prehër t’i kthehej:
“Hej ti burrë i dheut, më thuaj ku je nisur?
Ca punë me mua ke lënë pa bitisur,
Nëse ti vërtetë e sheh veten burrë,
Pa i dalë zot Tokës, në Qiell nuk shkon kurrë.”
Dhe kthehej Dynjanë ta qetësonte pak
Atëherë Ahiretja bëhej zjarr e flakë
Nga mjalti i ëmbël bëhej helm i hidhur
Dy gra e një zemër, kjo gjë duhej zgjidhur,
Dynjasë kur i qeshte, Ahiretja qante,
Me të dyjat donte, asnjërën s’e mbante.
E si mund të duket një burrë me dy gra?
Si një trup i pasur me shpirtin fukará.
Si këmishë me dy xhepa, brenda pa pará.

Ç’të bëjë o Zot burri i katandisur?
Nuk ishte i çmendur, por dukej kokëkrisur,
E si mund të dukej ndryshe ky burrë bote
Me shpirtin prej Qielli, me trupin prej Toke
Kush ka dy gra, llafos me veten:
Si ta mbaj Dynjanë, pa humbur Ahireten?
Mendjen si ta ruaj, zemrën pa e humbur?
Si të bëj kurorë lulet pa i këputur?
U dorëzua burri, kurban bëri veten
Por jo për Dynjanë, as për Ahireten
Në baltën tokësore është Fryma Qiellore
Në zemër i zbriti Përgjigja Hyjnore:
Dy gratë e tua nuk janë jeta e tërë
Për Dashurinë time zemrën ta kam bërë
S’të bën punë Dynjaja, e as Ahiretja
Nëse Dashurinë nuk e gjen tek vetja
Zemra jote është “vendshikimi” Im
Unë jam Dashuria që s’i gjen Mbarim
Hyr në Shtëpinë tënde ku ishe në Fillim
Fruti i ndaluar le të mbetet kujtim
Trupi është i gjallë veç kur Frymën ka
Shpirtrat nuk janë burra, por nuk janë as gra
Veç Fytyrës Sime asgjë tjetër s’ka. ~ Fatmir Muja