Nga nesër produktet bazë ushqimore do të shiten me 0% TVSh

Mbi 5 denarë pritet të ulet çmimi i dizelit sonte pas ores 12, ndërsa ulje të çmimit pritet të ketë edhe për benzinën. Kështu bëri të ditur për TV21 ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Sonte presim ulje shtesë, duke marrë parasysh kuotat e 5 ditëve të fundit dhe me shumë gjasa ulja sipas analizave të bëra në sektorin e energjisë në Ministrinë e Ekonomisë dhe fjalën e fundit sigurisht që do ta ketë Komisioni Rregullator për Energjitikë, për dizelin do të duhet të jetë mbi 5 denarë”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Nga nesër sipas ministrit gjithashtu çmimet e produkteve bazë ushqimore do të shiten me 0% TVSH.

“Nesër duhet të ketë një ulje të plotë të pjesës së TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ndaj u bëj thirrje qytetarëve që të blejnë me fatura fiskale sepse mund të shohin nëse tregtarët apo marketet po e zbatojnë masën”, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Ministri tha se shteti po bën gjithçka që është në dorën e tij, megjithatë ai shtoi se edhe vetë tregtarët duhet të jenë më solidarë dhe korrekt gjatë formimit të çmimeve me qëllim që bara e krizës të mos bie e gjitha mbi kurrizin e qytetarëve.