Neymari e konfirmon të ardhmen, pas kalimit të PSG-së në gjysmëfinale të Champions

Neymari ka konfirmuar se do të nënshkruajë kontratë të re me Paris Saint-Germain, pasi i ndihmoi klubit të kalojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke e eliminuar kampionin në fuqi, Bayern Munich.

Bayerni e fitoi 1:0 ndeshjen e dytë çerekfinale në Paris, por PSG-ja e arriti gjysmëfinalen falë golave si mysafir pas rezultatit të përgjithshëm 3:3.

Pas ndeshjes, Neymar, të cilit marrëveshja e tanishme i mbaron në vitin 2022, tha se nënshkrimi i kontratës së re nuk është më çështje falë lumturisë që e ndien në kryeqytetin francez.

Duke folur për ESPN Brazil pas ndeshjes, Neymar tha: “Kjo (nënshkrimi i kontratës së te) nuk është më çështje. Natyrisht, unë ndihem shumë rehat dhe ndihem si në shtëpi këtu në PSG. Ndihem më i lumtur së përpara”.

Ndërsa, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, shtoi se as Neymar e as Kylian Mbappe nuk kanë arsye të largohen nga klubi.

“Ne kemi investuar shumë në klub për ta fituar Ligën e Kampionëve dhe të gjithë trofetë në dispozicion”, tha Al-Khelaifi.

“Neymar dhe Kylian nuk kanë arsye për t’u larguar”, shtoi ai.