Neymar i del në mbrojtje Messit: Lojtarët e PSG- së nuk e kuptojnë se si luan ai

Neymar Jr i ka dal në mbrojtje yllit argjentinas, Leo Messi.

Leo Messi është kritikuar shumë në sezonin e tij të parë te Paris Saint Germain.

Por, në krahë të tij i doli braziliani, Neymar Jr, duke thënë se i duhet kohë që të adaptohet, pasi në Paris është jetë ndryshe nga ajo në Barcelonë.

“Leo i kaloi disa vite në Barcelonë, është e vështirë për t’u adaptuar këtu. Është e vështirë të ndryshosh ekip, qytet. Ai nuk erdhi vetëm, por me familjen, e cila po ashtu duhet të adaptohet. Gjuha është po ashtu ndryshe. Ka shumë faktorë”, deklaroi fillimisht përfaqësuesi brazilian në një intervistë për ‘Canal Football Club’, përcjell lajmi.net.

Braziliani tutje tha se disa lojtarë të Paris Saint Germain nuk e kuptojnë mënyrën se si argjentinasi luan.

“Është po ashtu stili i lojës së ekipit dhe lojtarët që nuk e kuptojnë mënyrën se si luan ai. Pra, të gjitha këto janë përcaktuese. Leo, Kylian Mbappe dhe unë jemi lojtarë që gjithmonë jemi gjykuar për paraqitjet tona, për statistikat, për titujt e fituar dhe për gjithçka”, përfundoi Neymar.

Messi në 34 paraqitje me PSG këtë sezon ka shënuar 11 gola dhe 14 asistime.