Nënat ruse përplasen me njeriun e Putinit: I mashtruat fëmijët tanë duke i çuar në luftë

Nënat ruse të zemëruara e kanë akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se i ka përdorur djemtë e tyre si “mish për top” në pushtimin e tij në Ukrainë, sipas një video të publikuar nga The Telegraph, përcjell Gazeta Express.

Në video shihet një përplasje mes nënave ruse dhe guvernatorit rajonal në ditën kur policia në Rusi arrestoi 4,500 persona që protestuan kundër luftës.

Sergei Tsivilev, guvernatori i rajonit Kuzbass në Siberi qëndroi para nënave të ushtarëve që e akuzuan Kremlinin për mashtrim.

“Të gjithë u mashtruam, të gjithë u mashtruam. Ata u dërguan atje si mish për top”, bërtiti një grua. “Ata janë të rinj. Ata ishin të papërgatitur”. Ndërsa Tsivilev, duke mërmëritur, u përpoq ta paraqiste pushtimin e Putinit në Ukrainë si një “operacion special” dhe jo si luftë, gratë i bërtisnin atij.

“Ky është një operacion special dhe për momentin askush nuk mund të komentojë për operacionin special”, tha ai.

“Janë përdorur!” e ndërpreu një nënë. “Pra, fëmijët tanë janë shfrytëzuar?” pyeti ajo. Nga videoja e mëposhtme nuk është e qartë se kush janë gratë dhe nëse djemtë e tyre janë vrarë në Ukrainë.