Departamenti i Shtetit: Integrimi evropian i Ballkanit perëndimor është urgjent

Shtetet e Bashkuara edhe më tutje janë të përkushtuara për përfundimin e procesit të integrimit evropian të Ballkanit perëndimor, ka kumtuar Departamenti i Shtetit, shkruan “B92”, transmeton “Bota Sot”.

“Lufta e paarsyeshme dhe e pa asnjë shkas e Rusisë ndaj Ukrainës qartë ka dëshmuar në urgjencën gjithnjë më të madhe për këtë detyrë të lidhjes transatlantike”, thuhet në kumtesën e DSh.

Në pyetjen rreth mundësisë së shpërndarjes së krizës edhe në Ballkan, një zëdhënës i paemërtuar i Departamentit të Shtetit ka vlerësuar se “Rusia është faktor destabilizues në Ballkanin perëndimor”.

Anëtarë të Kongresit amerikan, 19 prej tyre kohë më parë kanë nënshkruar një letër dërguar presidentit amerikan Biden dhe administratës së tij, ku kërkohet rritja e angazhimit diplomatik në Ballkanin perëndimor në kontestin e invadimit rus në Ukrainë.

Në letër dërguar sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken, nënshkruesit kanë bërë thirrje që të dyfishohen përpjekjet për të konsoliduar demokracinë dhe të promovohet integrimi i Ballkanit perëndimor në Evropë.