Ndryshime ligjore për siguri të gazetarëve

Është mbajtur uebinar më 24 nëntor me temë: “Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal: Zgjidhje për përforcimin e sigurisë së gazetarëve”, që e organizoi Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Aksioni i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës “Liria e shprehjes dhe liria e mediave në Maqedoninë e Veriut (JUFREX)”.

Përfundimi kryesor i ngjarjes ishte se vetëm përmes ndryshimeve konkrete në Kodin Penal, duke i dhënë Prokurorisë autorizimin për të vepruar sipas detyrës zyrtare dhe duke rritur dënimet për sulmuesit, do të përmirësohen sistematikisht siguria dhe politika e mosndëshkimit për gazetarët dhe punonjësit mediatik. Derisa zhvillohej ngjarja, Ministria e Drejtësisë u prononcua në mediat sociale, duke treguar që Kodi Penal, së bashku me SHGM-në dhe Sindikatën e Gazetarëve, së shpejti do të rishikohen, me qëllim që të rritet siguria e gazetarëve. Në njoftim, Ministria, gjithashtu, vuri në dukje se ligjet e reja nuk janë aq të nevojshme sa nevoja për veprim më efikas nga institucionet kompetente për hetimin dhe sanksionimin e sulmeve ndaj gazetarëve.

Siç informojnë nga SHGM- ja në këtë uebinar morën pjesë tridhjetë pjesëmarrës, përfshirë një grup gazetarësh, përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Evropës, Prokurorisë Themelore Publike dhe avokatë që përfaqësojnë gazetarët para gjykatave. Në këtë uebinar video paraqitje kishte Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, kurse në pjesën hyrëse të kësaj ngjarjeje fjalim kishte Patrik Peninks, shef i Sektorit të Shoqërisë Informatike pranë Këshillit të Evropës. Po ashtu, në uebinar mori pjesë edhe Sasho Rajçev, shef i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup me gazetarë që mbulojnë çështje të sigurisë, si dhe një ekspert i huaj në fushën e të drejtës së mediave,

Një nga qëllimet e kësaj ngjarje ishte të diskutohen mënyrat për të gjetur zgjidhje për mbrojtjen institucionale të gazetarëve dhe punonjësve të mediatik dhe kështu të kontribuohet në procesin e konsultimeve të udhëhequra nga Ministria e Drejtësisë për të ndryshuar Kodin Penal.

Ministri Mariçiq, në fjalën e tij, theksoi se Ministria e Drejtësisë tashmë ka filluar procedurë për hartimin e Kodit të ri Penal me ndryshimet e kërkuara që do të përfshijnë edhe vepra penale, e me të cilat do të rritet niveli i mbrojtjes së gazetarëve dhe të punonjësve mediatik në përgjithësi. “Për hartimin e tekstit cilësor në ligj ne tashmë kemi mbajtur takim me përfaqësuesit e komunitetit të gazetarëve dhe shoqatave të gazetarëve, përfshirë edhe Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatën. Propozimet e tyre janë sigurisht të mirëseardhura, sepse vetëm përmes dialogut të hapur pikërisht me gazetarët do të jemi në gjendje të miratojmë një ligj të ri që do t’i mbrojë edhe më tej ata që lirshëm të kryejnë punën e tyre të përgjegjshme, kurse të gjithë ata që do të përpiqen t’i frikësojnë ose t’i sulmojnë fizikisht dhe verbalisht gazetarët, respektivisht punonjësit mediatik, do të dënohen në mënyrë rigoroze”, theksoi ministri Mariçiq.

Patrik Peninks, nga Këshilli i Evropës, shprehu përgëzimin e tij për këtë proces shumëpalësh midis aktorëve kryesorë, pushtetit, ministrive dhe gazetarëve. Ai theksoi se deri më tani ne jemi mësuar për tema kaq të rëndësishme me zgjidhje të njëanshme, që janë provuar se janë jofunksionale. “E përshëndes iniciativën për këtë lloj uebinari ku kemi mundësi të diskutojmë bashkërisht mbi zbatimin e Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut dhe t’i identifikojmë ato dispozita specifike në ligj që do të rregullojnë dhe avancojnë garancinë dhe sigurinë e gazetarëve. Ashtu siç rritet numri i kërcënime në vit, presioni mbi gazetarët/gazetaret po thellohet. Kjo formë e presionit ka fituar nuanca specifike gjinore në sulmet kundër gazetareve, që janë provuar të jenë kryesisht të njëanshme gjinore, si online ashtu edhe offline. Prandaj, besoj fort se përmes diskutimit të këtillë të përbashkët me ju, palët e interesuara dhe ekspertët e huaj, do të hapim një dialog të përbashkët në interes të avancimit të mbrojtjes ligjore të gazetarëve dhe gazetarisë në Maqedoninë e Veriut”.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, në fjalimin e tij theksoi se gazetarët dhe punonjësit mediatik luajnë një rol kryesor si mbrojtës të interesit publik, kurse profesioni i gazetarisë është pjesë e rëndësishme e çdo shoqërie demokratike. “Nuk më pëlqen aspak trendi aktual i sulmeve ndaj gazetarëve. Më duket se po hyjmë në një fazë të recesionit demokratik, veçanërisht pasi perspektivat evropiane në plan global po mbyllen, për shkak të problemit me Bullgarinë. Ne nuk do të donim të shihnim procese retrograde, kurse ky trend tregon për këtë. Është e rëndësishme të theksohet se mosndëshkimi në mënyrë të pashmangshme çon në vetë censure ose censurë, e kufizon hapësirën për media të lira dhe privon publikun nga e drejta për t’u informuar”, shtoi Çadikovski.

Filana Koka, gazetare nga RTVM, shtoi se “nevojiten dispozita të reja dhe adekuate ligjore dhe klimë e re e përshtatshme për media që i mbështesin proceset demokratike. Autoritetet u thirrën dhe janë thirrur të investojnë në krijimin e sigurisë në mënyrë që gazetarët të bëjnë punën e tyre lirshëm dhe të pavarur pa u ushtruar asnjë presion mbi atë që raportojnë. SHGM dhe gazetarët nuk do të heqin dorë nga kjo”.

Vasko Maglleshov, gazetar nga Media Hulumtuese Online/ PRIZMA në paraqitjen e tij theksoi se është e nevojshme të edukohen gjykatësit dhe prokurorët publik të ardhshëm që të sensibilizohen për rëndësinë e punës gazetareske. Dhe kjo të bëhet në kuadër të trajnimeve, respektivisht të zgjerohen programe lëndore për lirinë e fjalës dhe shprehjes dhe për rëndësinë e profesionit të gazetarisë në proceset demokratike.

Shefi i Prokurorisë Themelore Publike, Sasho Rajçev, gjithashtu një nga panelistët, në fjalimin e tij në uebinar e theksoi mbështetjen e këtij procesi nga Prokuroria dhe dha një përmbledhje të shkurtër të përgjigjeve të të Drejtës Penale për mbrojtjen e gazetarëve në Maqedoninë e Veriut. Rajçev theksoi se për të bërë ndryshime thelbësore, do të jetë e nevojshme të rriten resurset e Prokurorisë.

Në cilësinë e ekspertit ndërkombëtar, Xhonatan Prajs, avokat në “Doughty Street Chambers”, Britani e Madhe, në prezantimin e tij ndau disa raste krahasuese nga praktika e avokatisë në kontekstin e sigurisë së gazetarëve. Ai theksoi se problemi nuk është në vetë ligjet, por në zbatimin e tyre. Në fund, rekomandimi është që ekziston nevoja për edukim dhe rishikim të të gjithë elementëve të sistemit gjyqësor dhe, natyrisht, veprim të përbashkët nga të gjithë palët e përfshira.

Ky uebinar u organizua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë në kuadër të aksionit që është pjesë e “Horizontal Facility për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II”, një program i përbashkët i BE/Këshillit të Evropës, i zbatuar nga Këshilli i Evropës i cili synon t’u asistojë përdoruesve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi në harmonizimin me standardet e Këshillit të Evropës dhe acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të zgjerimit të tij, atje ku është e aplikueshme.