Shkupi, sërish është kryeqyteti i parë në Botë. Gjejeni për çfarë? Sigurisht, për ndotje të ajrit. Situatë e ngjashme edhe në shumë qytete të tjera të vendit. Qeveria sot aktivizoi rekomandimet për mbrojtje, meqë prania e grimcave PM 10 tejkaluan vlerat maksimale për dy ditë rresht. Ambientalistët ndotjen e ajrit kanë filluar ta shohin si kërcënim i vrasjes masive. Nga “Shoqata për ajër të pastër” thonë se Prokuroria Publike qoftë prej denoncimeve apo me vetë iniciativë duhet të ngrit çështjen për hetimin, siç thonë, të këtij krimi. Sipas Marjan Nenovit, i gjithë pellgu i Shkupit është shndërruar në një “Dhomë gazi” ku qytetarët po mbyten dalëngadalë.
Për këtë mund të themi se është një tentim i vrasjes masive të qytetarëve. Prokuroria duhet me patjetër të reagojë. Le të drejtohet tek ne, sipas informacioneve tona ne do tu japim dosjet. Ne nuk mund të vërtetojmë, megjithatë ato dëshmi mund t’i dorëzojmë pikërisht në Prokurorinë Publike – tha Marjan Nenov, Shoqata për ajër të pastër.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoninë e Veriut gjatë 6 viteve të fundit janë importuar 236,500 tonelatë mbeturina që janë përdorur si derivate alternative. Shumica e transportit të mbeturinave kanë ndjekur rutën nga Bari i Italisë përmes portit detar të Durrësit, e cila pastaj ka vazhduar në Kosovë dhe ka përfunduar në vend. Gjatë periudhës 2014-2018 statistikat thonë se nga Kosova kanë hyrë 150 mijë tonë mbeturina. Por, edhe nga shtetet e tjera fqinje importi i mbeturinave gjatë këtyre 5 viteve ka qenë nga Bullgaria 24,5 mijë tonë, nga Shqipëria 16,4 mijë tonë, nga Serbia 15 tonë dhe nga Greqia 2800 tonë. Ambientalistët thonë se kjo duhet të ndërpritet.
Me ndalimin e importit të mbeturinave si derivat alternativ, qytetarët, shteti dhe mjedisi jetësor sërish nuk do t’i shpëtojnë nga dëmet e shkaktuara nga ndotja. Sepse, firmat e mëdha nuk mund askush t’iu ndaloj të vazhdojnë të importojnë mbeturinat si lëndë e parë apo “repro-material” për prodhimet e tyre. Ne në shtet asnjëherë nuk kemi pasur matematikë se cilat biznese çfarë lloj sasie të lëndës së parë shpenzojnë dhe sa mbetje prodhojnë – u shpreh Toni Nikushevski, Ambientalist.
Cilësia e ulët e ajrit këtë dimër është evidentuar edhe në shtetet fqinje. Madje shtetet e BE-së, të gjithë rajonin e Ballkanit e shohin si një tërësi, e cila është duke ndotur edhe ajrin e tyre. Rreziku për shëndetin e evropianëve u bë temë kryesore e mediave atje, të cilat gishtin e drejtojnë nga vendet tona që djegin qymyr dhe mbeturina. Sipas organizatës joqeveritare “Bankwatch”, 16 centrale të qymyrgurit nga rajoni lëshojnë sasi të njëjtë të dioksidit të squfurit sa të gjitha 25 centralet në BE, ndotje e cila nuk ndalon para kufijve të BE-së./Alsat