Ndërtimet në Çair, banorët druajnë se do të mbeten pa ujë

Banorët e komunës së Çairit, posaçërisht ato të lagjes Seravë druajnë se për një periudhë të shkurtër mund të ballafaqohen me mungesë të ujit të mjaftueshëm dhe probleme me kanalizimin. Shqetësimet e banorëve vijnë për shkak të ndërtimeve të reja që tashmë janë kryer në këtë lagje ndërsa, shumë të tjera e me sipërfaqe edhe më të mëdha veçmë janë në fillimin e punimeve ndërtimore.

“Prej tash kemi probleme me ujin, edhe kanalizimi është krejt I bllokuar. Ndërtesa po ndërtohen, 4-5 katëshe, gypat janë venduar në kohën e Titos, ato nuk i përballojnë ato mbeturina. Ka me pas shumë probleme. Me ujin ka shumë probleme, edhe ato gypat e ujit janë vendos para 50-60 viteve, unë këtu jetoje dhe nuk kam ujë në banjo, në katin e dytë”.

“Ndërto ai, ndërtoi ai tjetri, fukaraja mbeti poshtë. Me ujin jemi shumë dobët, ndërtesat e mëdha tërheqin shumë ujë dhe rrymë, ne të varfrit kemi mbet poshtë”.

“Shtimi enorm I popullsisë, I banorëve të Shkupit ka ndikuar, e gjithë Maqedonia është përqendruar këtu në Shkup, sidomos pas vitit 2001”.

“Mendoj se nuk mund ta përballojë. Për ujin që e pimë duhet të ndërrohen gypat e ujësjellësit, duhet të ndërrohen ndërru se janë shumë të vjetër, sigurisht nuk ka ndër 50 vjet”.

Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu thotë se ndërtimet e reja nuk do të ndikojnë në furnizimin me ujë të objekteve ekzistuese banuese. Ai tha se kanë përgatitur projektet përfundimtare për ndërrimin e gjithë infrastrukturës nëntokësore në këtë lagje, të cilat pritet të realizohen në dy faza.

Faza e parë parasheh dy milionë euro investim në lagjen e Serovës, dhe faza e dytë njëjtë prap dy milionë euro. Dmth me katër milionë euro ne mendojmë që do e përmbyllim si problem gjithë infrastrukturën nëntokësore në Serovë. Këtu janë paraparë edhe të gjitha rrjetet kabllovike, rryma e telekomi që janë në vijë ajrore. Do të vendosen të gjitha nën tokë edhe mendoj që do të bëjmë një zgjidhje shumë afat gjate dhe shumë kualitative – deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.

Përpos problemeve me ujin e pijshëm dhe kanalizimin, banorët e Seravës pas çdo reshje shiu përballen edhe me përmbytje për shkak të mungesës së kanalizimit atmosferik, projekt i cili është në ndërtim e sipër.