Ndërroi jetë gruaja nga Kumanova, i hoqi stolitë nga qafa, i dhuroi për themelimin e UT-së

UT ngushëllon familjen Saiti: Zonjës Dritë stolitë e arit iu bëfshin dritë!
Telegram ngushëllimi
Të nderuar miq,

Themelimi i Universitetit të Tetovës, përtej një date me rëndësi për historinë e arsimit shqip në trojet tona etnike, na e përkujton vendosmërinë, përkushtimin e prindërve tanë për këtë institucion, i cili për ta ishte ideal kombëtar.
Njëra prej tyre – simbol i idealizmit për Universitetin e Tetovës ishte dhe do të mbetet zonja Drita Bajrami –Saiti, “Marigona” e Universitetit tonë, e cila në vitin 1994, ish-Rektorit, Prof.Dr. Fadil Sulejmanit ia dhuroi stolitë e saj të arit si donacion (ndihmë) për Universitetin e Tetovës.
Me dhimbje të thellë e mora lajmin se Zonja Drita sot ka ndërruar jetë.
Janë momente tejet të vështira të përshkruash dhimbjen për arsimdashësit, ata që në momentet më të vështira për institucionin tonë kombëtar u bënë dritë në rrugën e formësimit të Universitetit tonë – Universitetit të Tetovës.
Të nderuar miq,
Ne drejtuesit e UT-së, punonjësit e arsimit dhe shkencës, qindra e mijëra studentë të fakulteteve tona, që nga gjenerata e parë e deri tek e fundit, sot na ka pllakosur dhimbja për ndarjen nga jeta të Zonjës Dritë. Ne të gjithë, së bashku u shprehim ngushëllimet më njerëzore familjes së njohur Saiti nga Likova, opinionit publik dhe veprimtarëve të arsimit shqip në vendin tonë.
Sukseset e Universitetit janë të përbashkëta, por mirënjohja u takon atyre që dhanë gjithçka për këtë që ne kemi sot.
Qoftë i përjetshëm kujtimi i Saj!
U prehtë në paqe!
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Rektor i Universitetit të Tetovës