Micotakis – Pendarovski: Konfirmohet mbështetja greke për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Me siguri jemi vendi më i përgatitur kandidat në historinë e Bashkimit Evropian. Do të thotë na nevojitet, meritojmë mundësi reale për t’i filluar negociatat dhe mbështetemi tek ju, në mbështetjen tuaj, si edhe gjithmonë, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në fillim të takimit me kryeministrin grek, Kirjakos Micotakis.

Pendarovski theksoi se Greqia është në mesin e mbështetësve më të fuqishëm të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe shfaqi shpresë se nesër në Slloveni, së bashku me shumë miq të tjerë evropianë edhe Athina do ta mbështesë kërkesën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa kryesisht të Maqedonisë së Veriut.

“Do të duhet përfundimisht të fillojnë negociatat inkuadruese me Bashkimin Evropian diçka që po e presim për shumë kohë, pasi i plotësojmë të gjitha parakushtet”, theksoi presidenti.

Në fillim të takimit, i shpjegoi Micotakisit se në vijim janë angazhimet për gjetjen e zgjidhjes me Bullgarinë por edhe se qëllimi nuk është të shkurtohet rruga drejt BE-së por të përmbushen të gjitha parakushtet dhe procedurat e parapara. Shtoi se për 16 vite gjysmë po presim dhe “erdhi momenti të fillojnë negociatat të cilat zgjasin me vite”.

“Atë që e kërkojmë nuk është të bëhemi anëtare brenda natës, por të na jepet mundësia të fillojmë negociata, ndërsa në vazhdim ne dhe shumë miq tanë evropianë t’i finalizojmë të gjitha pjesët inkuadruese, ish-kapituj. Jemi të gatshëm. Me siguri jemi vendi më i përgatitur kandidat në historinë e Bashkimit Evropian. Do të thotë na nevojitet, ekziston mundësi reale t’i fillojmë negociatat dhe mbështetemi tek ju, në mbështetjen tuaj sikurse gjithmonë”, theksoi presidenti Pendarovski.

Kryeministri grek, Kirjakos Micotakis, shprehu kënaqësi për vizitën por edhe përmendi se perspektiva e BE-së në rajon do të jetë një prej temave të samitit të nesërm në Slloveni.

“Siç e dini, i japim rëndësi të madhe përforcimit dhe thellimit të marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe promovimit të procesit integrues të Maqedonisë së Veriut. Kjo është çështje për të cilën do të kemi mundësi të bisedojmë nesër në Slloveni, në kuadër të Samitit BE – Ballkani Perëndimor. Më vjen mirë që bashkëpunimi ynë bilateral po shkon përpara me hapa stabil në energjetikë, mbrojtje, lidhshmëri dhe bashkëpunimin ndërkufitar”, tha Micotakis.

Në fillim të takimit kryeministri grek i shprehu ngushëllime presidenti Pendarovski për të vdekurit në zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

Nga kabineti i presidentit Pendarovski kumtuan se bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale midis dy vendeve, me ç’rast është vlerësuar se vizita zyrtare e nivelit më të lartë shënon moment të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.