Biblioteka e re e Tetovës 80% gati, por me dyer të mbyllura! Miliona denarë e premtime pa afat për objektin e Teatrit dhe Bibliotekës

Ky është objekti i ri i Teatrit dhe i bibliotekës së Tetovës.

Ndryshe nga pjesa e teatrit ku punimet po zvarriten, hapësirat e destinuara për bibliotekën kanë marrë formë.

Suvatimet, fasada dhe struktura kryesore brenda e jashtë janë përfunduar në rreth 80 për qind. Për ta hapur atë për qytetarët, do të mjaftonte vetëm instalimi i sistemit të klimës dhe vendosja e orendive. Por, këtu del pengesa administrative.

Një tjetër problematikë e shfaqur gjatë këtij procesi është mospërfshirja e drejtuesve të këtyre dy institucioneve në ecurinë e punimeve. Megjithëse bëhet fjalë për godinën ku do të strehohen, as drejtori i bibliotekës dhe as ai i teatrit nuk kanë qasje në procedurat tenderuese apo në bordin mbikëqyrës.

Për punët ndërtimore gjatë vitit 2026 janë ndarë 57 milionë denarë, por objekti në tërësi ka arritur vetëm në rreth 40 për qind të realizimit. Për ta përfunduar plotësisht të gjithë kompleksin do të nevojiten edhe rreth 250 milionë denarë të tjerë, duke e lënë ende te paqartë datën se kur kjo godinë do t’u shërbejë lexuesve dhe dashuruarve të artit teatror në Tetovë.