Mehaj, rekrutëve të FSK-së: Në ADN-në tuaj keni UÇK-në dhe komandantin legjendar, Adem Jasharin

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në ceremoninë e certifikimit të 311 rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës pati fjalë të mëdha për ushtarët e rinj.

Mehaj u kërkoi rekrutëve të rinj që të mos harrojnë se në ADN-në e tyre është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ajo e komandantit legjendar, Adem Jasharit, njofton Klankosova.tv.

“Nuk mund të ecim përpara nëse nuk nderojmë të kaluarën, historia jonë na ka bërë kjo që jemi sot dhe për atdhe derdhim gjak dhe lotë, atdheu është pasuria jonë më e madhe – për të jetojmë dhe për të vdesim”.

“Ushtarë të dashur gjatë shërbimit tuaj brenda dhe jashtë vendit ecni gjithmonë me kokën lartë sepse ushtria jonë nuk ka luftuar kurrë për të pushtuar territore të huaja por ka mbrojtur me shpirt territorin e vet. Dijeni se në AND-në tuaj keni Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, keni ADN-në e komandantit legjendar, Adem Jashari”.

“Ushtria e Adem Jasharit nuk dorëzohet, nuk kthehet mbrapa dhe është e pathyeshme”, tha Mehaj.

Mes tjerash, ministri Mehaj tha se FSK-në e udhëheqin ushtarakisht e politikisht dy Adema.

“Dy Adema na udhëheqin neve, Adem Jashari e Adem Demaci – njëri në aspektin politik e tjetri në aspektin ushtarak”, tha Mehaj.