Më pak se 100 persona të sëmurë rëndë me koronavirus në Izrael

Numri i pacientëve të sëmurë rëndë me koronavirus ka rënë nën 100 në Izrael, për herë të parë në rreth 10 muaj.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, të publikuara të hënën vonë, kanë treguar se 97 persona konsiderohen seriozisht të sëmurë dhe 63 janë në ventilatorë.

Herën e fundit kur kanë qenë më pak se 100 persona të sëmurë seriozisht me koronavirus në këtë shtet, ka qenë 7 korriku i vitit të kaluar.

Numri më i madh, ndërkaq, është regjistruar më 17 janar, duke arritur në 1,192.

Izraeli ka realizuar fushatë të suksesshme të vaksinimit prej 19 dhjetorit, andaj edhe numri i personave të infektuar dhe i të sëmurëve ka rënë dukshëm për tre muaj.

Të dhënat zyrtare kanë treguar se 51 raste të infektimit janë regjistruar në 24 orët e fundit.

Vetëm 0.2 për qind e gati 29,000 testeve kanë rezultuar pozitive.

Shumica e kufizimeve për të ndalur përhapjen e koronavirusit janë hequr në këtë shtet.