Partia Demokratike ka fituar shumicën në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, duke i shkaktuar një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump dhe republikanëve, sipas rezultateve të raportuara nga mediat amerikane.
Demokratët dhe senatorët e pavarur të lidhur me ta kanë siguruar të paktën 53 vende në Senat, ndërsa në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kaluar pragun prej 218 mandatesh, të nevojshëm për shumicën.
Një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve ishte fitorja e demokratit James Talarico në Teksas, ku demokratët nuk kishin fituar një vend në Senat që nga viti 1988. Fitore të rëndësishme ata shënuan edhe në Kansas, Iowa, Ohio dhe disa shtete të tjera.
Presidenti Trump deklaroi se do t’i pranojë rezultatet, por refuzoi ta konsiderojë humbjen e republikanëve si disfatë personale.
„Nuk e konsideroj këtë humbje për mua. Unë nuk isha kandidat në fletëvotim“, deklaroi Trump për Fox News.
Ai paralajmëroi se do të përdorë veton presidenciale ndaj nismave ligjore me të cilat nuk pajtohet, ndërsa si faktorë që ndikuan te votuesit përmendi çmimet e larta të karburanteve dhe luftën me Iranin.
Çfarë ndryshon për Trumpin?
Kontrolli demokratik mbi të dyja dhomat e Kongresit do t’ia vështirësojë Trumpit realizimin e agjendës politike gjatë dy viteve të fundit të mandatit.
Demokratët do të kenë mundësi të përcaktojnë prioritetet legjislative, të organizojnë hetime parlamentare dhe të ushtrojnë mbikëqyrje më të fortë ndaj administratës presidenciale.
Megjithatë, Trump ruan të drejtën e vetos presidenciale, ndërsa demokratëve u nevojitet shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat për ta rrëzuar atë.
Anëtarët e rinj të Kongresit pritet të marrin detyrën më 3 janar 2027.



