Mbrojtësi shqiptar pasues i Godinit tek Inter

Marash Kumbulla vazhdon të përbëjë lajm në Itali edhe jashtë fushës së blertë dhe kur futbolli është ndalur për shkak të Koronavirusit.

20-vjeçari kuqezi është në “radarët” e skuadrave më të mëdha europiane, por dëshira e tij e madhe ka qenë e me siguri mbetet të luajë tek Interi.

Zikaltrit po mendojnë gjithnjë e më shumë për t’i siguruar shërbimet e tij që këtë verë, aq më tepër që ditët e fundit janë shuar zërat për një largim të mundshëm të uruguaianit, Diego Godin.

Ish-mbrojtësi i Atleticos e ka treguar rëndësinë e tij me përvojnë dhe karakterin që shfaq në dhomat e zhveshjes, por ai po vuan shumë në skemën me tre mbrojtës të Antonio Contes (duhet të mbrojë në hapësira të mëdha).

Bastoni, dalëngadalë po i zë vendin, kështu që sot, Godin konsiderohet një lojtar luksi në stol me 5 milionë eurot që merr në sezon.

Kur të mbyllet sezoni, klubi dhe lojtari uruguaian do të bëjnë llogaritë, ndërkohë që për të ardhmen drejtuesit vazhdojnë të ndjekin Kumbullën, që e konsiderojnë pikërisht pasuesin e Godinit. Verona i ka vënë një çmim 25 milionë euro, shifër ku duhet të bazohet oferta e Interit. Në klubin zikaltër besojnë se kanë gjetur një Skriniar të dytë.