Lojtarët e Fenerbahçes dërgohen në spital

Basketbollistë të Fenerbahçes dhe anëtarë të stafit të klubit të madh turk janë dërguar në spital për testim, pasi kanë shfaqur simptoma të koronavirusit.

Këtë e ka bërë të ditur klubi turk të shtunën.

Turqia ishte prej vendeve të fundit që ka pezulluar ligat sportive. Vendimi u mor të enjten pas rritjes së presionit nga ana e klubeve, lojtarëve dhe trajnerëve.

Kishte po ashtu presion ndërkombëtar ndaj Turqisë për të pezulluar garat, pasi shumica e vendeve e bënë këtë.

Nëntë persona kanë vdekur në Turqi për shkak të koronavirusit, ndërsa numri i të infektuarve ka arritur në 670, është bërë e ditur të premten.

Fenerbahçe ka luajtur ndaj Tofashit më 15 mars dhe ndaj Beshiktashit më 8 mars.

“Simptoma të koronavirusit janë shfaqur te lojtarët tanë të basketbollit dhe te stafi, pas kontrollimeve rutinore”, ka njoftuar Fenerbahçe.

Deri më tani nuk është raportuar për sportistë të infektuar me koronavirus në Turqi.