Mbamendja dhe dilema ime e kamotshme

Arbër Çeliku

Unë komunizmin thuajse nuk e përjetova fare, ngaqë kur ai ra si doktrinë isha vetëm 14 vjeç, por pasojat më pas i përjetova keq. Ato ndikuan thellë në vetëdijen, qenien dhe mirëqenien time. Me sytë e mi pashë se si politikanë të sotëm maqedonas ngritën tendat e tyre në gjimnazin e Kërçovës dhe i mbyllën paralelet në gjuhën shqipe, njëjtë vepruan në Strugë, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë dhe gjetiu ku jetonin shqiptarët.

U rrita me një mal plehrash në katundin tim të deponuar aty që pas Luftës II Botërore nga komuna e Kërçovës, e cila udhëhiqej nga maqedonasit, thitha ajër kancerogjen nga Termocentrali Osllome, vetëm 1 km vijë ajrore larg shtëpisë time, të punësuar me 99% maqedonas, që silleshin nga Maqedonia Lindore dhe e ashtuquajtura Maqedonia e Egjeut, për ta kolonializuar Kërçovën time nga frika e nacionalizmit shqiptar, siç e quante pushteti atëbotë. Asfalti dhe uji ishin eksluzivitet vetëm për banorët maqedonas. Edhe fshati më i vogël dhe më i largët kishte asfalt dhe ujë, kurse fshatrat shqiptarë me nga 300-500 shtëpi, siç është dhe Cërvica ime, jetonin në pluhur dhe ujë pusi të përzier me xhirizin e çdo shtëpie, dhe kurrë nuk mund ta harroj se sa herë që lahesha, më hante trupi sikur të isha i zgjebosur.

Për një linjë telefonike u desh të paguanim nga 1500 marka gjermane, plus ryshfeti që mos prisje me vite për t’u kyçur. Dhe ai dreq telefoni ishte i domosdoshëm për çdo familje kërçovare, ngaqë nuk kishte shtëpi që nuk e kishte një njeri në kurbet, sepse në vendlindje punë për shqiptarët nuk kishte dhe dikush duhej t’i rriste kalamajtë dhe ta mbante gjallë familjen. Për një pasaportë, letërnjoftim a certifikatë lindjeje duhej të zije një mik maqedonas, t’i sillje televizor apo video-player nga kurbeti, plus t’i jepje ca marka dhe të kryeje punë.

Isha nxënës në gjimnazin Zef Lush Marku në Shkup kur forcat policore maqedonase ndërhynë brutalisht mbi punëtorët e Bit-Pazarit, të cilin shisnin në tezga që të mbanin familjet gjallë. Ende një miku im mjek, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, i ndien traumat e asaj ngjarjeje makabre, duke na e futur tmerrin neve shkollarëve, që udhëtonim me autobusin e linjës 19 nga Karposhi për në Fushë Topanë. Si student i gjeneratës së parë në Universitetin e Tetovës e përjetova tmerrin e ndërhyrjes së forcave policore maqedonase më 17 shkurt 1995, marrjen në pyetje në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike nga ana e policisë së Kërçovës shkaku se isha student i këtij universiteti, breshërinë e plumbave mbi kokë gjatë luftimeve në vitin 2001 në Çarshinë e Epërme në Tetovë, ku dhe ndodhej Fakulteti Filologjik rrëzë Sharrit Plak, për të mos humbur mësimin me studentët e mi të mrekullueshëm.

Ky ishte fati kolektiv i shqiptarëve në Maqedoni, i projektuar dhe i mbajtur në kontroll edhe nga argatët shqiptarë. Shkolla e Kumrovcit njihej për nacionalizmin e theksuar kundër shqiptarëve, aty gatuheshin intelektualët e ardhshëm dhe projektoheshin planet dhe strategjitë afatgjate, të filluara që pas Luftës së Dytë Botërore, që Ballkani të spastrohej nga shqiptarët. Aty u gatuan edhe ata shqiptarë, të cilët e me fillimin e pluralizmit e shitën interesin kombëtar shqiptar në Maqedoni, e penguan jetësimin e federalizimit të vendit nën projektin e quajtur Ilirida, e sajuan dhe e menaxhuan në dëmin tonë aferën e armëve, e mbajtën për një dekadë peng zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës, e dënuan ngritjen e flamurit tonë kombëtar në Gostivar dhe shumë e shumë hataja të tjera.

Konflikti i vitit 2001 na e ktheu shpresën, dinjitetin dhe integritetin njerëzor dhe kombëtar, personalisht mendova se represionit tonë do t’i vinte fundi. Por, një gjë nuk arrij assesi ta kuptoj ende: Përse eksponentët e njohur për opinionin publik të Shkollës së Kumrovcit sot vazhdojnë të jenë bartësit e proceseve tona kombëtare?! Mos vallë ata kanë qenë gjatë gjithë kohës koka e partive tona politike dhe i kanë perdorur ato si intrument në dëmin tonë?!