Mbindërtimet si “kërpudha” në Kërçovë! Dehari: Investitorët po keqpërdorin lejet e ndërtimit

Vazhdojnë të shtohen ndërtimet pa leje në Kërçove.

TV21 mëson se këto ndërtesa janë ngritur për disa kate më shumë nga se e ka lejuar leja e ndërtimit e dhënë nga komuna.

Këtë e pohon edhe vetë kryetari i Komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili thotë se ndjehet i keqpërdorur në këtë aspekt.

“Pas dhënies së lejes së ndërtimit dhe pas ndërtimit të objektit bazuar në ligjin për ndërtim dhe lejen për ndërtim, disa nga pronarët e keqpërdorin atë, pra pas evidentimit edhe në kadastër bëjnë përsëri heqjen e çatisë dhe bëjnë mbindërtime. Unë do të përcjellë apelin që herët apo vonë këto objekte sigurisht që do të marrin një epilog përfundimtarë”, tha Fatmir Dehari – kryetar i Komunës së Kërçovës.

Profesori universitarë Enis Jakupi thotë se mbindërtimet janë një rrezik i madh potencial sidomos kur kemi tërmete, ai thotë se në bazë të ligjit mund të bëhen mbindërtimet me leje po me materiale të lehta, e jo siç ndodh rëndom tek ne që bëhen me materiale të rënda. 

 “Ajo që është problem me mbindërtimet janë tërmetet. Mos dashtë Zoti të paraqitet ndonjë tërmet. Ka raste edhe kur merret leja për mbindërtime. Leja e ndërtimet merret me materiale të lehta, mbindërtimi bëhet prej druri ose çeliku, a në realitet nëpër këto objekte kemi materiale të rënda siç është betoni.  Këto janë rrezik potencial që në qoftë se paraqiten tërmete me intensitet më të lartë këto objekte mund të bien”, theksoi Enis Jakupi – profesor universitar.

Komuna e Kërçovës më herët nuk ka pasur inspektor ndërtimi. Këtë muaj për së pari herë ka filluar me punë një inspektore e cila siç mësuam për njërën nga këto ndërtesa ka filluar  procedurë në gjykatë për shkelje të rregullave.