Luis Enrique: Hakimi ende bën shaka me mua për humbjen e Spanjës nga Maroku

Trajneri i Paris Saint-Germain, spanjolli Luis Enrique ka thënë se lojtari i tij Achraf Hakimi ende bën shaka me të për fitoren e Marokut kundër Spanjës në fazën e 1/8-tës në Kupën e Botës “Katar 2022”.

Në prag të përballjes me ekipin e Olympique de Marseille, klasiken e tij të parë në Francë, Luis Enrique, u pyet për mesfushorin maroken, Azzedine Ounahi, të cilin trajneri asturian e kishte vlerësuar pas eliminimit të Spanjës nga Maroku.

Enrique, i cili ishte trajneri i Spanjës në atë ndeshje, kujtoi atë humbje kur një gazetar e pyeti për mesfushorin maroken, ndërsa më vonë tregoi se edhe Hakimi e ngacmon ende.

“Ai është një lojtar ndërkombëtar. Për ne nuk është një gëzim i madh të flasim për atë ndeshje, por as nuk ndodh asgjë, ishte një ndeshje e luajtur në maksimum, në të cilën Maroku luftoi, u mbrojt shumë mirë, në veçanti Ounahi, i cili bëri një super ndeshjes”.

“Në atë grup ishte edhe Hakimi, i cili ende bën shaka me mua për atë lojë ”, ka thënë ish-trajneri i Barcelonës.

Ndryshe, PSG është nikoqir i Marseille në ndeshjen që zhvillohet të dielën mbrëma në Parc des Princes nga ora 20:45.