“Lojtar i madh dhe me personalitet”, Erik ten Hag elozhe për mbrojtësin: Është i sinqertë

Luke Shaw nuk e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin me Manchester United, teksa trajneri Erik ten Hag shpeshherë e uli në stol. Megjithatë, mbrojtësi anglez e ka rimarrë veten dhe po shfaq versionin më të mirë ndërsa shkëlqeu edhe në qendër të mbrojtjes në sfidën derbi ndaj Manchester City. Ndaj, 27-vjeçari së fundmi fiton edhe zemrën e trajnerit ten Hag që nuk i kursen elozhet për Shaw duke u shprehur se mbrojtësi është i sinqertë dhe me shumë personalitet.

“Më pëlqen shumë fakti që Shaw është i sinqertë. Pas ndeshjes së dytë të sezonit, ai u afrua dhe më tha se performanca e tij individuale nuk ishte aty ku duhej. Por, prej ditës së parë kur nisëm përgatitjet ka punuar shumë dhe në fushë ai duket me mentalitetin e një lojtari të madh. Për mua është një lider dhe në këtë moment është një shembull për pjesën tjetër të skuadrës.

Me aftësitë dhe me fuqinë fizike ai i dhuron shumë skuadrës. Tani është shtuar edhe pjesa e mentalitet, është një shembull se si mund të fitohen ndeshjet e mëdha. Jam shumë i lumtur me zhvillimin e tij si lojtar, ka treguar të njëjtin nivel si në qendër të mbrojtjes ashtu edhe në krah. Është lojtar i madh dhe me personalitet që ndihmon shumë dhomat e zhveshjes”, u shpreh Ten Hag.