Cremonese befasoi Napolin në Kupën e Italisë, Spalletti: Ishte një rastësi

Napoli eliminohet nga Kupa e Italisë në fazën e 1/8-tave teksa Cremonese befasoi të kaltrit në shtëpi. Në fakt, vendasit e patën në këmbët e tyre kualifikimin pasi deri në minutën e 86-të ishin në superioritet me shifrat 2-1. Por, miqtë gjetën forcat dhe barazuan ndërsa rezultati nuk ndryshoi as në kohën shtesë teksa nga pika e bardhë, Cremonese ishte më e saktë. Pas sfidës, trajneri Luciano Spalletti theksoi se eliminimi ishte një rastësi me 63-vjeçarin që “qan” mungesën e konkretizimit nga të tijtë.

“Na vjen keq dhe jemi shumë të zhgënjyer pas këtij eliminimi. Duhet që gjithnjë ta menaxhojmë një ndeshje në mënyrën e duhur, nuk ishim aq të zotë sa jemi zakonisht në këtë sezon. Ndeshjen e kishim në “dorë”, pavarësisht disa topave që u humbëm shumë lehtë. Goli i tyre ishte një rastësi. Gabuam në shumë raste ku kishim epërsi numerike në sulm dhe më pas në shtesë ishim edhe të pafat pasi goditëm dy herë shtyllën.

Por, kështu funksionon kur e lë ndeshjen të hapur dhe më pas gjithçka komplikohet. Mund dhe duhej ta kishim mbyllur ndeshjen pasi Cremonese ishte e detyruar të linte hapësira pasi ishte në disavantazh. Fakti që jemi jashtë Kupës vjen vetëm prej faktit se luajtëm dhe treguam shumë më pak nga ajo që jemi në realitet”, u shpreh Spalletti.