Liderët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vlorë, zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit

Në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në ditën e lindjes se komandantit legjendar, Adem Jashari sot Homazhe në kompleksin

Memorial në Prekaz kanë bërë edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje bashkë më anëtar të kësaj partie.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se

Kusari-Lila: Përulje para sakrificës së familjes Jashari, është e pashembullt në kombin tonë

Jemi këtu sot në nderim të 28 nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin shqiptar në një peshë të veçantë ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, 110 vjetori i shpalljes të Shqipërisë së pavarur dita e flamurit një ditë që në peshë dhe rëndësi çdoditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet e sa e rëndësishme është të kujtohet se sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre të nuk janë më sot me përulje si çdoherë tjetër për të nderuar një sakrificë e cila është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës me tërë familjen dhe përpjekjeve të vazhdueshme inspirinit dhe mesazhin që sakrifica e familjes Jashari dha pastaj për ushtarët e UÇK”, tha ajo.

Homazhe tek kompleksi memorial në Prekaz ka bërë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bashkë me kabinetin qeveritar.

​Bislimi: Do të punojmë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar të realizohen

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të punojë çdo ditë të vitit që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari të realizohen.

Bislimi ka bërë homazhe para varrezave të familjes Jashari në Prekaz në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bislimi: Zotohemi që për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e Adem Jasharit të realizohen

Në vendin ku më mirë se gjithkund tjetër në Kosovë të dëshmohet sakrifica jonë në këtë ditë të rëndësishme, ku jemi krenarë për të gjithë ata burra dhe gra që për dekada dhe shekuj kanë punuar palodhshëm dhe me vetë-mohim për të gëzuar këtë liri që ne sot e kemi, dhe për të reflektuar për ato obligime, të cilat ende nuk i kemi përmbushur si Qeveri e Kosovës zotohemi se për 365 ditë të çdo viti do të punojmë që zotimet e komandantit legjendar Adem Jashari, por edhe komandantëve të tjerë që nga koha e Skënderbeut përfundimisht të realizohen”, tha ai.

Më 28 nëntor shqiptarët festojnë Pavarësinë e Shqipërisë si dhe kujtojnë daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

​Begaj: Shqipëria do të jetë zëri i Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën dhe do të jetë zëri i saj.

Në ceremoninë e festimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, Begaj tha se kombin shqiptar i bashkon aspiratat euro-atlantike.

Para krerëve institucional të Kosovës, presidenti shqiptar tha se pavarësia e Shqipërisë mbetet vepra më e madhe e kombit shqiptar.

​Tre krerët institucional të Kosovës në ceremoninë e festimit të pavarësisë në Vlorë

Tre krerët institucional të Kosovës po marrin pjesë në ceremoninë e festimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, krye parlamentari, Glauk Konjufca, krahas homologëve të tyre në Shqipëri vendosën kuroran lulesh pranë varrit të Ismail Qemalit.

Derisa u bë ngritja e flamurit kombëtar, liderët parakaluan nën shoqërinë e gardës ceremoniale në Shqipëri.

Shqipëria sot feston Ditën e Pavarësisë dhe të Flamurit.

Zhvillohet ceremonia e ngritjes së Flamurit

Ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar e zhvilluar në Vlorë me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë ka bërë bashkë krerët e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në qytetin ku më 28 nëntor 1912, Isamil Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u organizua edhe këtë vit ceremonia festive.

Në ceremoni mori pjesë kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Pas ceremonisë, ata vendosën kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

​Përfaqësues të institucioneve bëjnë homazhe në Prekaz

Në përvjetorin e lindjes së komandantit legjendar Adem Jashari, kryetari Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka bërë homazhe para kompleksit memorial në Prekaz.

Për të shënuar ditëlindjen e komandantit legjendar dhe Festës e Flamurit, institucionet në Kosovë kanë organizuar aktivitete të ndryshme kulturore.

Shqiptarët sot festojnë 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shpallur nga Ismail Qemali më 1912 në Vlorë.

Krerët e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës janë mbledhur sot të Shtëpia e Pavarësisë në Vlorë për të shënuar këtë festë shqiptare.

Gjithashtu të dielën deputetët nga dy kuvendet kanë mbajtur mbledhjen e parë të përbashkët./B.Ibishi

Kosova nis festën e Flamurit me homazhe te busti i Skënderbeut

Për nder te ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, krerët e shtetit bënë homazhe pranë busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Të pranishëm ishin zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministri Besim Bislimi, ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveçla, ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ministri i financave, Hekuran Murati

Nisin ceremonitë shtetërore për Ditën e Flamurit

Kanë filluar ceremonitë festive shtetërore për nder të Ditës së Flamurit.

Zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe pranë përmendores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Bazuar në agjendën shtetërore, në orën 10:00, do të bëhen homazhe edhe në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, në komunat e Republikës, janë paraparë të organizohen aktivitete të ndryshme festive.

Osmani homazhe në Prekaz: Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë!

Nga: A.SH

Sot është dita e flamurit, festa e të gjithë shqiptarëve.

Presidentja e Kosovës, ka bërë homazhe pranë varrit të komandatit legjendar Adem Jashari.

Ajo ka thënë se kjo ditë përmban tri data.

Postimi në Facebook:

I vendosur, guximtar e luftarak. Ky është komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Në shënimin e ditës së lindjes, u përulëm para varrit të tij dhe familjarëve, të cilët u bën fli për lirinë tonë.

Ai hyri një herë në histori për të mbetur përherë dhe për t’u kujtuar veçanërisht më 28 nëntor, krahas Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Një ditë dhe tri data historike.

Adem Jashari është hero i dinjitetit tonë!

Ai është i gjallë!

​Kjo është agjenda shtetërore për shënimin e 28 Nëntorit

Qeveria e Kosovës ka publikuar agjendën shtetërore për organizimin e 28 Nëntorit, 110 vjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar.

Qeveria kohë më parë kishte krijuar një komision të udhëhequr nga ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku lidhur me koordinimin dhe këtë agjendë shtetërore.

Sipas agjendës, dita e nesërme nis me homazhe tek busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe përfundon me pritjen e kryeministrit Albin Kurti.

Dita e 28 nëntorit e emërtuar si Festa e Flamurit është një nga më të veçantat për shqiptarët në krejt botën, për arsye të shumta, ndër vite e shekuj.

Gjenon në kthimin e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut në Krujë, para plot 574 vjetësh, për të ngritur shqipen dykrenëshe dhe çliruar shqiptarët për 25 vjet nga sundimi osman.

Ngjarja tjetër e madhe që pason këtë datë, është ndoshta më me peshë për shqiptarët, pasi aty i gjejmë fillet e një kombi që hyn ndruajtshëm, por i mëvetësuar, në shekullin e njëzetë.

Më 28 nëntor të vitit 1912 Kuvendi Kombëtar i Vlorës, pjesë e të cilit ishin liderët shqiptarë të gati të gjitha krahinave, shpalli Shqipërinë shtet më vete, pas së cilit akt Ismail Qemali, kryetar i tij, ngriti flamurin kuqezi.

Festa tjetër e kësaj date për shqiptarët vjen më 1994, si akt çlirimi nga pushtimi nazi-fashist, që do të pasohej fatkeqësisht me një diktaturë të përligjur komuniste.

Njëmbëdhjetë vjet nga kjo datë do të lindte një nga kolosët e kombit, angazhimi dhe sakrifica e të cilit janë në themel të luftës së fundit për çlirim të shqiptarëve të Kosovës.

Adem Jashari me flijimin e vet dhe të krejt familjes do të bëhej inspirim i pashoq për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kishin bërë daljen publike më 28 nëntor të vitit 1997, deri në çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

Image

 

​110 vjet nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë

Sot 110 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me aktin s shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

Por, për fat të keq, Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurt, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshoj vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga Fuqitë e Kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi edhe Pleqësinë që duhej të kryente funksionet një organi këshillues e mbikëqyrës të qeverisë, me kryetar Vehbi Agolli.

Qeveria e Vlorës:

Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër

Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme

Abdi bej Toptani, Ministër për Financat

Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen)

Petro Poga, Ministër për Drejtësinë

Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin

Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore

Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë

Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.