Leonardo: Do bëjmë gjithçka që ta bindim Mbappen për rinovimin e kontratës

Drejtori sportiv i PSG-së, Leonardo ka folur për shanset që të rinovojë kontratën e yllit së skuadrës, Kylian Mbappe.

Francezi vazhdon të lidhet me kalimin te Real Madrid, meqenëse kontrata i skadon në fundin e sezonit, transmeton lajmi.net.

Për “L’Equipe”, Leonardo tha se do bëjnë çmos për ta bindur sulmuesin të rinovojë kontratën.

“Sa janë shanset për të vazhduar kontratën e Mbappe? Nuk mund ta them saktësisht, por kemi gjasa”.

“Për derisa nuk ka nënshkrim (me ndonjë klub tjetër), do bëjmë gjithçka, do bëjmë më të mirën për të mbajtur Kylian Mbappe”.

Tutje, Leonardo edhe ka mohuar raportimet e ditëve të fundit që PSG i ka ofruar francezit kontratë në vlerë 50 milionë euro për sezon.

“Gjëja e fundit që do vendosim në kontratën e Mbappes do jetë paga. Ne duam ta vendosim Kylianin në kushtet më të mira që të jetë lojtari më i mirë i mundshëm”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, të mërkurën e radhës zhvillohet ndeshja kthyese mes Real Madridit dhe PSG-së në Ligën e Kampionëve.