LDK: Asociacioni është kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se është ftuar nga Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që të marrë pjesë në takimin e 31 janarit, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

LDK tha se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”, por në lidhje me Asociacionin, kjo parti tha se vlerëson se kjo çështje është “kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thuhet në njoftim.

LDK-ja tha se i bën thirrje Qeverisë t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj si shumicë dhe ta trajtojë çështjen e Asociacionit në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë.

Të martën, Ambasada amerikane në Prishtinë do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin.

“Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, kishte njoftuar ambasada më 24 janar.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po në këtë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.