Laporta: Dembele i joshur për t’u larguar nga Barcelona, por shpresojmë se ai qëndron

Presidenti i skuadrës së Barcelonës, Joan Laporta ka dhënë disa komente lidhur me të ardhmen e Ousmane Dembele.

Anësori francez, Ousmane Dembele vazhdon të lidhet me një largim të mundshëm nga Barcelona, me kontratën e tij që po shkon drejt ditëve të fundit.

Për të ardhmen e lojtarit ka folur edhe presidenti i klubit, i cili ka thënë se lojtari është i joshur për t’u larguar nga skuadra, por megjithatë katalanët shpresojnë në rinovimin e tij.

“Ai (Ousmane Dembele) dëshiron të qëndrojë, por ai është i joshur për opsionet e tjera që kanë kushte më të mira në kontratë”, ka thënë Laporta, transmeton lajmi.net.

“Oferta i është prezentuar tash e një kohë dhe ata kanë kërkuar kohë deri në fund të sezonit, tjetrën javë. Ne donim përgjigje më herët, por s’mund ta marrim dot. Trajneri e pëlqen. Më duket se ai është rehat dhe ka raporte të mira me të gjithë”, shtoi presidenti i Barcelonës.

Ousmane Dembele refuzonte një rinovim kontrate gjatë muajit janar. E ardhmja e tij vazhdon të jetë e paqartë.