Kuvendi i Kosovës voton sot për kryeministrin dhe qeverinë e re

Kuvendi pritet të votojë sot për formimin e Qeverisë së re të Kosovës me Albin Kurtin, kryeministër. Qeveria e re që pret miratimin nga kuvendi, është rezultat i marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për formimin e qeverisë, janë të nevojshme të paktën 61 vota për, nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Duke mos llogaritur komunitetet pakicë, LVV dhe LDK kanë së bashku 57 vota në kuvend.

Përderisa Lista Serbe, e cila në Kuvend ka grupin parlamentar prej 11 deputetëve është deklaruar se nuk do të votojë për qeverinë e re, shpresat e Kurtit mbështeten te votat e komuniteteve joserbe, përkatësisht komuniteti turk, boshnjak, rom, egjiptian e ashkali, që së bashku kanë 9 ulëse në kuvend.

Sipas një skenari që është paralajmëruar, seanca fillon me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetarin e kuvendit. Në këtë post, pritet të vi deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Kurse kryetari aktual i kuvendit, i zgjedhur në seancën konstituive më 26 dhjetor, Glauk Konjufca, kalon në një pozitë qeveritare.

Bazuar në marrëveshjen LVV–LDK, qeveria e re do të ketë 15 ministri. Prej tyre, nga 6 ministri do t’i kenë LVV dhe LDK, kurse 3 ministri u takojnë komuniteteve pakicë. Po ashtu, qeveria do të ketë edhe 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.

Në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë./Radio Evropa e Lirë