Kurti: Tarifa ndaj produkteve serbe nuk është më e mirë se reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes nuk ishte “një supë që vlohet në mikrovalë, por ka qenë një bukë që piqet ngadalë e mirë”.

Gjatë një interviste për Televizionin Publik të Kosovës Kryeministri Kurti ka folur edhe për taksën ndaj produkteve të Serbisë.

Ai tha se “tarifa 100% nuk është as më e drejtë dhe as më e dobishme se reciprociteti”.

“Unë dhe zonja Osmani kemi deklaruar gjatë fushatës që reciprociteti është masë më e mirë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës u shpreh se këtë çështje do ta diskutojë në një mbledhje të Qeverisë dhe pastaj do ta shtrojë këtë temë në takime me ndërmarrësit, që ta shohin se ku është interesi ekonomik.