Kurti përkujton masakrën e Mejës: Territori i Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Mejës së Gjakovës në 23 vjetorin e saj, duke thënë se nuk do ta harrojnë kurrë atë që u bë nga forcat serbe.

Ai, me anë të një postim në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se dëshmia e tyre mund të ndalë krimin e kryer në trevat kosovare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se dëshmia e saktë nga ana jonë e tmerreve të luftës, e krimeve kundër njerëzimit, e krimeve të luftës dhe krimit të gjenocidit, është paraqitja e një tjetër horizonti, më i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore, për paqen pozitive. Në një mori ditësh të vitit ne përkujtojmë viktimat e masakrave”.

“Sot është dita e përkujtimit të masakrës së Mejës, në të cilën u vranë 376 civilë. Ata u rrethuan që të shfaroseshin, si shqiptarë që ishin në tokën e tyre ku jetonin. Duke e nxjerrë në dritë krimin ndaj popullit tonë, ne mund të shtyjmë ndërgjegjen ndërkombëtare të kërkojë pastrimin e ndërgjegjes dhe trupit të shteteve agresorë dhe gjenocidalë. Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrë prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet”.

“Sepse nuk kemi për detyrë vetëm qetësimin dhe ngushëllimin e familjeve, popullit e shtetit e kombit tonë, por edhe shërbimin ndaj shoqërisë njerëzore në tërësi. Dëshmia jonë mund ta ndalë sado pak krimin e mundshëm në treva të tjera të rruzullit tonë”,ka thënë Kurti.