​Haradinaj: Masakra në Mejë, dhimbja më e madhe shqiptare

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj dhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini sot kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Lëndina e pendimit” në Mejë, me rastin e 23-vjetorit të masakrës në Mejë, e cila konsiderohet si masakra më e madhe ndaj civilëve shqiptarë.

Haradinaj tha se masakra e Mejës, ku forcat serbe më 27 prill 1999 vranë e masakruan 376 shqiptarë, është dhimbja më e madhe shqiptare. Sipas tij ngushëllimi më i mirë për familjarët e masakrave në Kosovë është të vendoset drejtësia.

“Në Mejë është dhimbja më e madhe e shqiptarëve, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë, qytetarë të paarmatosur të të gjitha moshave dhe gjinive dhe dy besimeve fetare shqiptare janë masakruar në atë kohë. Një pjesë e tyre janë varrosur në Mejë e për një pjesë ende nuk dihet fati i trupave të tyre… Ndoshta ngushëllimi më i mirë për ta është të vendoset drejtësia jeni në dijeni që ende nuk ka ndodhur proces gjyqësor që do ta trajtonte këtë masakër”, tha ai.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini u shpreh se Meje është shenja me e madhe e shqiptarëve.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri dhe këtu në Meje. Meja është një ndër shenjat më të mëdha të shqiptarëve në të gjitha aspektet”, tha ai.

Homazhe në 23-vjetorin e masakrës në Mejë kanë bërë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku./KP