Kurti për referendumin e vitit 1991: Kosova bëri hap historik kah vetëvendosja

Kryeminstri Albin Kurti ka shkruar për 30 vjetorin e mbajtjes së referendumit për Pavarësinë e Kosovës.

Shefi i qeverisë tha se referendumi ishte një ngritje e rëndësishme për avancimin institucional statusor, në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës.

“Para 30 vitesh, në shtatorin e vitit 1991, me vullnetin e popullit dhe aspiratën për liri, Kosova bëri hap historik kah vetëvendosja”.

“Ndërmjet 26 dhe 30 shtatorit 1991, me guxim të pashembullt, 87 për qind të votuesve të Kosovës, dolën masivisht në referendumin për pavarësi dhe me shumicë absolute votuan për Kosovën shtet të pavarur e me të drejtë të vetëvendosjes”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti tha se referendumi erdhi si pasojë e nacionalizmit serbomadh të shkaktuar nga Millosheviqi.

“Referendumi erdhi si rrjedhojë e një sërë ngjarjesh të ndodhura pas ardhjes së Millosheviqit në krye të Serbisë, i cili rindezi nacionalizmin serbomadh dhe në vitin 1989 suprimoi autonominë e Kosovës.”

“Në këtë përvjetor jubilar, kujtojmë me krenari dhe u jemi thellësisht mirënjohës të gjithë atyre burrave e grave që u organizuan për Referendumin e 91-tës, këtë akt të rezistencës dhe lirisë, ndërmarrje e vështirë dhe me shumë rrezik për kohën, e një ndër themelet e Republikës”, shtoi Kurti.