“Alfa”, zvarritet kërkesa për rigjykim të rastit, Dauti: Edhe durimi ka kufij, është e tepërt!

Gjykata Penale ende nuk ka vendosur mbi kërkesën për rigjykim të lëndës “Alfa”, edhe pse kërkesës i janë bashkangjitur edhe dëshmi të reja nga ekspertiza forenzike. Nga Penalja arsyetohen se lënda ende nuk është kthyer nga gjykata e Apelit, që të mund të vendoset mbi të.

“Ende nuk është vendosur mbi kërkesën e fundit të dorëzuar për përsëritje të procedurës duke pasur parasysh se lënda penale për të cilën kërkohet rigjykim është dorëzuar deri tek Gjykata e Apelit. Menjëherë pasi që lënda të kthehet në shkallën e parë, Këshilli do të vendosë”, thonë nga Gjykata Penale.

Nga Gjykata e Apelit informojnë se seance publike për lëndën do të ketë më 7 tetor. Avokatja Artene Iseini, thotë se lënda bazë është në Apel, ndërsa për të vendosur gjykata Penale për rigjykim eventual të rastit, lënda fizikisht duhet t’i kthehet Penales. Shton se lëndët si rasti “Alfa” janë të natyrës urgjente, ndërsa vendimi është dashur të merret në afat sa më të shpejtë.

“Vendimi nga Këshilli penal për përsëritjen e procesit gjyqësor për rastin “Alfa” , është vonuar jashtëzakonisht shumë dhe nuk ka asnjë justifikim të bazuar në ligj dhe afate ligjore. Në vazhdimësi jam në kontakt, por nuk kam pasur ndonjë përgjigje konkrete. Këto kërkesa janë të natyrës urgjente dhe është dashur të vendoset në afat sa më të shpejt të mundur”, tha Artene Iseini, avokate.

Ramiz Dauti, familjar i të dënuarve në rastin “Alfa” presin që së shpejti të sillet vendimi, duke shtuar se kanë duruar mjaftueshëm dhe edhe zvarritja e procedurës është e tepërt.

“Gjykata deri më 15 gusht ka qenë në pushime, pra njëra prej arsyeve që na e kanë thënë në mënyrë indirekte, por jo në mënyrë zyrtare. Tjetra ndoshta është edhe neglizhenca, ndoshta nuk është shumë e rëndësishme për ata, një rast që është shumë i rëndësishëm sepse njerëzit tash e 13 vite flenë në burg të pafajshëm. Mendoj se ky rast duhet të jetë primar dhe jo të zvarritet kaq shumë”, u shpreh Ramiz Dauti.

Dauti shpreson se kësaj radhe lënda nuk do të politizohet, sepse është rast i ndjeshëm, posaçërisht në anën shqiptar. Në qershor të këtij viti, mbrojta deri te Gjykata Penale dorëzoi edhe ekspertizën e kryer jashtë shteti, në të cilën thuhet se Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi janë të pafajshëm dhe janë dënuar mbi dëshmi joligjore dhe të kurdisura. Rasti Alfa ka ndodhur më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, nga ku jetën kishte humbur polici shqiptar nga njësiti Alfa, ndërsa ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët ai kishte qenë në patrullë. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi dhe Agim Islami .