Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media me ndihmësekretaren amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried, ka thënë se është e domosdoshme anëtarësimi në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Sipas tij, që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, është i nevojshëm integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës por edhe në NATO”, ka thënë ai.
Kreu qeveritar foli edhe për agresionin rus në Ukrainë.
Ai shtoi se është për të ardhur keq që Serbia refuzoi për të sanksionuar Rusinë dhe për t’u distancuar nga ajo.
“Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm, por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë antidemokratike. Orientim joperëndimor edhe aleancë autokratësh”, u shpreh Kurti.
Po ashtu kryeministri shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para, gjatë dhe pas luftës e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah botës së bashkuar demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe të pqaqes në rjaon. Për SHBA-të, Kosova do të mbetet mik, aleat, dhe partner i besueshëm. Një i tillë që nuk pyet pse por si, jo sa por kur”, deklaroi Kurti.