“Kurrë nuk do të marrim propozim më të mirë”, thirrje të gjithanshme që të mos lëshohet mundësia me propozimin francez

Nuk është më i miri, por propozim më të mirë se ky francez, Maqedonia e Veriut nuk do të marrë kurrë, thotë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, duke bërë një krahasim me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, për të cilin tha se propozimet e mëhershme kanë qenë më të mira.

“Por mungesa e guximit nga elita politike e kohës solli në propozim shumë më të keq i cili imponoi ndryshime kushtetuese, përdorim “erga omnes” të emrit të ri kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kam frikë se ky propozim, i cili nuk është më i miri, por më të mirë nuk do të marrim asnjëherë, do të jetë shumë më i keq në të ardhmen. Qytetarët nuk duhet të frikësohen. Është fyerje t’u thuhet maqedonasve se do të asimilohen! Shekulli 21, nuk arriti askush t’i asimilojë e tash një politikan a dy që dalin, që me shpirt anti-evropian, me ndonjë agjendë pro ruse protestojnë çdo ditë dhe i frikësojnë njerëzit se do t’i asimilojnë”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.

Se propozimi i ri francez është zgjidhje e mirë për të nisur bisedimet eurointegruiese, duke e hequr veton bullgare, e thotë edhe emisari i posaçëm i Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Saracin, i cili që po qëndron për vizitë në Shkup. Saracin tha se propozimi ruan gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Dua ta them sinqerisht. Kishte edhe më herët propozime të caktuara. Kur e pashë të fundit, kur e pashë se çfarë qëndron në dokumentin e fundit, u çudita. Qeveria juaj në ditët e fundit me të vërtetë ka biseduar në mënyrë intensive dhe kompromisi që është tani në tavolinë, që unë po e lexoj, është me të vërtetë kompromis dhe një herë këtu janë marrë parasysh kërkesat e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe mendoj se kjo është shenjë që Evropa mund të funksionojë këtu”, pohoi Manuel Saracin, emisar special gjerman për Ballkanin Perëndimor.

Edhe zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Bojan Mariçiq thotë se propozimi i ri francez është më i mirë se ai parapraku dhe se nuk duhet lëshuar shansi. Në konferencën e përbashkët me Saracin, Mariçiq tregoi se Qeveria ende nuk ka sjellë vendim dhe ende po ua prezanton propozimin të gjitha palëve, që pas konsultimeve dhe qëndrimit të Kuvendit dhe partive, të sillet një vendim përfundimtar edhe nga Qeveria.

“Ajo që mund të ju them është se Qeveria do të veprojë me përgjegjësi, do t’i rishikojë informacionet për procesin e negociatave e udhëhequra nga MPJ, për rezultatet nga ato bisedime dhe planifikojmë të marrim mbështetje edhe nga Kuvendi që ta kompletojmë qëndrimin tonë, që të mund me përgjegjësi dhe me mbështetje të Kuvendit të dalim para BE-së. Kjo do të ndodhë ditëve në vijim, nuk mund të them saktë se në cilën ditë dhe çfarë mënyre, megjithatë kështu do të jetë rrjedhja e ngjarjeve”, tha Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane.

Protokolli ende nuk është dakorduar deri në fund a as nuk është nënshkruar u shpreh Mariçiq, ndërsa pret që kjo të ndodhë ditëve në vijim.