Kur dy grinden, Fatmir Besimi ‘fiton’ për kryeministër?!

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Gjykuar sipas të gjitha zhvillimeve dhe informacioneve brendapartiake, në “BDI’në e akullit” të “artanistëve” apo “ahmetistëve”, nuk do të ketë qetësim shpirtërash! Një rivaliteti e garë tjetër, ka filluar mes Artani (Grubit) dhe Bujarit (Osmanit) për dominancë në parti, e që më miri do të shfaqet në syprinë në betejën për “KRYEMINISTRIN TREMUJOR me INGERENCA TEKNIKE. “Përplasja” e këtillë, më së miri mund të vërehet nga portalet të cilat kontrollohen nga këta dy, e të cilat pak si “me spec” nxjerrin e liferojnë informacione, “pro-e contra” njëri-tjetrit.

Ditë më parë një lajm i tillë, “me spec” u liferuar kundër Bujarit, kurse një ditë tjetër, kundër Artanit. Janë këto sinjale, indikacione, që flasin se lartë, brenda BDI’së, diçka po vlon. Vetëm laiku i madh mund të thotë se nuk ka gjë!

Gjithsesi, Aliu (Ahmeti) si lider partie i ka hesapet e veta, rrjedhimisht edhe matamatikat… Eksperienca e deritanishme ka treguar se Ahmeti është treguar deficitar për t’i zgjidhur problemet e kësaj natyre nëpërmjet dialogut që nënkupton kapacitetin intelektual e politik, prandaj ai gjithmonë kishte zgjedhur parimin: “Përçaj e sundo”! Gjithandej, nëpër Degët partiake, Aliu kishte krijuar nga dy-tre fraksione, për t’i qeverisur me lehtë dhe për ta ulë pazarin e kërkesave.

Këtë formulë apo model, si duket Ahmeti sërish do ta zbatoj, meqë siç po shihet nga “përplasjet në portalet” e caktuara, Artani dhe Bujari e tanimë e kanë filluar garën (rivalitetin).

Ahmeti duket se po përgatitë një “dushë të ftohtë” për dyshin ambicioz Grubi-Osmani. Dushi do të jetë për t’i ulur gjakrat e dy pertendentëve të “selisë blu”.

Një protagonist i BDI’së i cili që nga 2001’shi ka patur pozita të larta, e pa dhënë ndonjë kontribut të theksuar në BDI, është Fatmir Besimi. Ai i “rezistoi” gjegjësisht qëndroi në pozita të larta të insititucioneve shtetërore pavarësisht ndryshimit të qeverive dhe partnerëve maqedonas të pushteti.

Si duket pikërisht Fatmir Besimi, do të jetë “atuti”, “Jockeri” i Ahmetit për tejkalimin e situatën në mënyrë të qetë. Në fakt, Fatmiri është ndër njerëzit më të besueshëm, osë më mirë thënë “më të dëgjueshëm” të Ali Ahmetit. Në fakt, Ahmeti ka dëshmuar se afër vetes kërkon njerëz të dëgjueshëm, prandaj dhe avansimi i të tillëve, ka qenë konform “shkallës së dëgjueshmërisë”.

Pra, Fatmir Besimi, mund të jetë njeriu që do ta stopojë “përplasjen” mes Grubit dhe Osmanit, por edhe kryeministër i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me status më të veçantë në botë – Kryeministër Tremujor me ingerenca TEKNIKE!
Përhajër tallja e radhës me shqiptarët, pavarësisht se kush e cili do të jetë kryeministër!