“Kulla Jonë” një libër me vlerë për kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Klubi i Shkrimtarëve”Jehona e Karadakut” doli me një botim të ri të rëndësishëm për kulturën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me Antologjine panoramike të poezisë kumanovare të titulluar simbolikisht”Kulla Jonë”, transmeton INA.

Libri përfshin dyzet e tetë autorë që kanë lindur dhe jetuar në Kumanovë dhe rrethinë përfshirë Komunën e Likovës dhe vendbanime tjera.

Kryeredaktori i kësaj antologjie Dr.Sevdail Demiri,, në një prononcim për Agjencinë e lajmeve INA thotë se ky libër paraqet një letërnjoftim letrar të kësaj treve periferike të Botës shqiptare dhe një trashëgimi kulturore që do të përcillet tek gjeneratat e ardhshme dhe referencë e mirë për studiuesit e poezisë shqipe.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me kolegët e nderuar të redaksisë: Bejtush Memeti, Burhanedin Xhemaili, Selajdin Shabani dhe Fatos Rushiti, arritëm që t’i portretizojmë në një vend 48 autorë të kësaj ane, një pjesë e të cilëve janë poetë të njohur mbarëkombëtarë. Të gjithë janë prezantuar veç e veç me disa nga poezitë e tyre më të mira, bio-bibliografi dhe fotografi. Si i tillë, ky libër paraqet një letërnjofim letrar të kësaj treve periferike të botës shqiptare, i cili do të duhej të jetë pjesë e të gjitha bibliotekave tona, si një trashëgimi kulturore – letrare e cila do të duhet të përcillet tek gjeneratat e reja.
Libri ka 260 faqe, me një dizajnim të mrekullueshëm nga mjeshtri Bekim Saliu, dhe është i përkrahur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.” tregon më në detaje Sevdail Demiri.

Ai tregon më tej se libri hapet me poetin e ndjerë Asllan Selmani për të vazhduar më pas me shumë emra të njohur të penës kumanovare si i ndjeri Fadil Bekteshi, kryetar i parë dhe njëri ndër themeluesit e këtij klubi, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Mumin Zeqiri, Avni Dehari, Burhanedin Xhemaili, Nehat Jahiu, Zejnure Salihu, Arben Ibrahimi, Selajdin Shabani, deri tek më të rinjtë Kreshnik Sopaj e Arta Selmani.

Ndryshe, Klubi i Shkrimtarëve” Jehona e Karadakut ëshë njëri ndër organizatat e para jo qeveritare në Maqedoninë e Veriut që funksionon pandërprerë për 29 vite me radhë.

Ky Klub mban manifestimin e njohur mbarë kombëtar”Takimet Poetike të Karadakut”, ndërsa këtë vit kishte manifestimin e 28 me radhë me ç’rast Agjencisë së Lajmeve INA iu nda Plaket në shenjë mirënjohje që ka përcjellur këtë aktivitet vite me radhë.

Poashtu klubi ka dhe revistën letrare dhe shkencore “Doruntina” që del dy herë në vit me kryeredaktor Burhanedin Xhemaili.(INA)