Kryediplomati hungarez në Shkup, ndihmë me 100 mijë maska dhe 5 mijë skafandër

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Sijarto, po qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ai ka ardhur me një aeroplan të posaçëm ushtarak ndërsa në aerportin e kryeqyeqytetit e priti zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani.

Nga Sekretariati për Çështje Evropiane informojnë se Sijatro ka sjellë një pako ndihma me 100 mijë maska mbrojtëse dhe 5 mijë skafandër mbrojtës.

“Maqedonia e Veriut dhe Hungaria kanë bashkëpunim të shkëlqyer bilateral, për të cilën dëshmon edhe mbështetja e sotme, e cila në këto kohë të vështira, kur çdo kush po lufton të sigurojë mjete për nevojat personale, treguan solidaritet të vërtet nga ana e Republikës së Hungarisë” mësohet të ketë thënë Osmani, i cili sipas kumtesës së dërguar nga kabineti i tij, po ashtu e ka falenderuar Sijatron edhe për mbështetjen e fuqishme të Hungarisë për integrimet tona evropiane.

Në takimin dypalësh Osmani-Sijatro u shkëmbyen informacione për hapat e mëtutjeshme lidhur me agjendën evropiane të vendit pas marrjes së vendimit për fillimin e negociatave me BE-në, procesi i formimit të kornizës negociuese si dhe përgatitja e vendit për fillimin e negociatave.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Hungarisë pritet të takohet edhe me homologun e tij në Shkup Nikolla Dimitrov. Siç bëri të ditur MPJ-ja, bashkëpunimi në përballje me pandeminë globale KOVID-19 do të jetë në fokus të bisedimeve.

“Gjatë takimit do të shkëmbehen edhe informacione për hapat e mëtejshëm në agjendën evropiane të vendit pas marrjes së vendimit pozitiv të Këshillit për Punë të Përgjithshme të BE-së për fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut. Do të shqyrtohen edhe marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për avancim të mëtejshëm, si dhe thellim të bashkëpunimit dhe solidaritetit midis të dyja vendeve, por edhe në suaza të Bashkimit Evropian”, theksojnë nga Ministria e Jashtme./TV21/