Moratti: Transferimi i Messit nuk është i pamundur për Interin

është i pamundur për Interin
Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti ka thënë se Interi mund të ëndërrojë për transferimin e futbollistit më të mirë në botë, argjentinasit të Barcelonës, Lionel Messi.

Moratti, që dikur kishte transferuar Ronaldon nga Barcelona, beson se Interi mund të ëndërrojë dhe se gjëra të çuditshme do të ndodhin në vitin 2020.

“Nuk besoj se është e ndaluar të ëndërrosh. Ndoshta nuk ka qenë e ndaluar edhe para kësaj fatkeqësie. Messi është duke shkuar nga fundi i kontratës dhe sigurisht se do të ketë përpjekje për të rikthyer atë në Argjentinë. Unë besoj se do të shohim gjëra të çuditshme në fund të vitit”, ka thënë Moratti për “Radio Rai”, transmeton Koha.net.

Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez po kërkohet nga Barcelona dhe Moratti mendon se Interi mund të përfshihet në një marrëveshje shkëmbimi e ndoshta ta përfshijë këtu edhe Messin.

“Ai është djalë shumë i mirë, kujdeset për karrierën e vet. Por, siç kam thënë më herët, duhet të shohim nëse është pjesë e një operacioni më të madh për lojtarë të mëdhenj si Messi”, ka thënë Moratti.