Qindra emigrantë nga Turqia janë nisur drejt Bullgarisë dhe Greqisë pas njoftimeve të autoriteteve turke se do t’i hapin kufijtë drejt Evropës për refugjatët sirianë pas incidentit të djeshëm në Siri ku mbetën të vrarë dhjetëra ushtarë turq. Mediat greke thonë se tashmë ka prani të shtuara të policisë në kufi, ndërsa këtë mëngjes kufiri veri-lindor i Evros-it është i mbyllur ku me qindra emigrantë kanë mbetur të ngujuar në zonën ndërkufitare e të cilët dëshirojnë të hyjnë në Greqi. Sipas agjencisë së lajmeve BGNES, autoritetet bullgare kanë parandaluar hyrjen e rreth 60 emigrantëve të paligjshëm që u përpoqën të kalonin kufirin në dy grupe, ndërsa në gjendje gatishmërie janë edhe rreth 1.000 ushtarë bullgar për sigurimin e kufirit. Ndërsa tek ne, ministri i brendshëm Naqe Çulev thotë se situata po monitorohet sepse ekziston rreziku i një fluksi të ri të madh emigrantësh ilegal.
Duke pasur parasysh situatën aktuale në veri të Sirisë dhe duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Turqi – ekziston rrezik. Ne jemi duke ndjekur nga afër këtë problem dhe jemi në komunikim me shërbimet e tjera të inteligjencës në vend – deklaroi Naqe Çulev – Ministër i Brendshëm.
Kërcënimi i Turqisë vjen pasi dje forcat e përbashkëta siriane dhe ruse filluan sulm ndaj trupave turke në Idlib, duke vrarë rreth 30 prej tyre. Me kërkesë të Turqisë, sot mbahet mbledhja e jashtëzakonshme në NATO, por Komisioneri i Lartë i KB-së për Emigrantë ka thënë se nuk ka asnjë informacion zyrtar nga Ankaraja deri më tani për ndryshimin e politikës së saj ndaj emigrantëve.
Komisioni Evropian theksoi se pret që Turqia t’i respektojë obligimet e saja për të kontrolluar rrjedhën e emigrantëve në Bashkimin Evropian. Reagimi nga UNHCR dhe Brukseli vjen pasi një burim pa emër nga qeveria turke tha se ata nuk do t’i mbajnë më refugjatët që kërkojnë të largohen drejt BE-së. Vlerësohet se në Turqi ka rreth katër milion refugjatë sirian.
Alsat