Kina, masa të reja për stabilizimin e tregtisë së jashtme dhe investimeve të huaja

Qeveria kineze do të marrë më shumë masa për të stabilizuar tregtinë e jashtme dhe investimet e huaja.

Në një mbledhje ekzekutive të Këshillit të Shtetit u bë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të shkurtuar listën negative të investimeve të huaja dhe për të rritur numrin e sektorëve ku nxiten investime të tilla.

Ndërkohë, inkurajohen institucionet financiare të shtojnë kreditë për tregtinë e jashtme, ndërsa kompanitë e sigurimeve tregtare do të mbështeten në ofrimin e shërbimeve përkatëse afatshkurtra për eksportet.

Në këtë mbledhje gjithashtu u kërkua të bëhen përgatitjet e duhura për Panairin e Import-Eksportit të Kinës që do të zhvillohet këtë pranverë, si dhe përpjekje për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në tregtinë e jashtme.

Politikat e uljes së taksave dhe tarifave për të ndihmuar kompanitë të kalojnë vështirësitë do të zbatohen në mënyrë të barabartë si për ndërmarrjet vendase, ashtu edhe për ato me investime të huaja.