Shërbimet sekrete ruse dyshohet se kishin përgatitur një sulm sabotues në Poloni, me mundësi për një numër të madh viktimash, për të cilin më pas do të fajësohej Ukraina.
Sipas gazetës polake Rzeczpospolita, e cila citon burime të larta të sigurisë, operacioni ishte planifikuar për fundin e tetorit ose fillimin e nëntorit, pranë kufirit me rajonin rus të Kaliningradit.
Qëllimi i dyshuar ishte diskreditimi i Ukrainës dhe ndërprerja e ndihmës polake për Kievin. Plani, sipas burimeve, ngjante me provokimin nazist të Gleiwitzit në vitin 1939, kur u inskenua një sulm për të fajësuar Poloninë.
Shërbimet polake, të paralajmëruara nga partnerët ndërkombëtarë, përforcuan sigurinë në kufi dhe ndërmorën masa parandaluese.
Ministri polak përgjegjës për koordinimin e shërbimeve sekrete, Tomasz Siemoniak, konfirmoi se kërcënimi ishte vlerësuar si real, por nuk dha hollësi për operacionin.
Përfshirja e Rusisë dhe hollësitë e planit të dyshuar nuk janë konfirmuar publikisht me prova zyrtare.



