Katër herë fituesi i Medaljes së Artë Olimpike rrëfen historinë: Emri im është ndryshe, erdha ilegalisht në Britani

Një nga emrat më të njohur në botën e atletikës, Sir Mo Farah ka rrëfyer historinë e jetës së tij.

Katër herë fituesi i Medaljes së Artë Olimpike në atletikë, Mo Farah ka zbuluar se emri i tij realisht është ndryshe, por është ndryshuar gjatë viteve.

Mo Farah, në një dokumentar ka treguar se si ishte trafikuar ilegalisht në Britaninë e Madhe, përcjell lajmi.net.

Më herët ai kishte thënë se erdhi në Britani me prindërit e tij, por historia e treguar nga vet ai së fundmi është krejtësisht ndryshe.

“Shumica e njerëzve më njohin sikur Mo Farah, por nuk është emri im dhe as realiteti. Historia e vërtetë është se unë jam i lindur në Somaliland, në veri të Somalisë, si Hussein Abdi Kahin. Përkundër çfarë kam thënë në të kaluarën, prindërit e mi kurrë nuk kanë jetuar në Britani të Madhe”, ka thënë Mo Farah, transmeton lajmi.net.

“Kur isha katër vjeçar, babai im u vra në luftën civile dhe familja ime u përça aty. Unë isha ndarë nga nëna ime dhe unë isha transportuar ilegalisht nën emrin e një fëmije tjetër që quhej Mohamed Farah”, shtoi ikona e atletikës.

Mes tjerash, vrapuesi olimpik ka treguar se si punoi punë të vështira dhe qëndroi në strehimore dhe tregoi historinë se si një grua e shantazhoi të mos tregonte për padrejtësitë që i bëheshin, sepse përndryshe nuk do ta shihte më kurrë familjen e tij.