Katari: Bisedimet indirekte ShBA-Iran kanë shënuar “përparim pozitiv”

Bisedimet indirekte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të ndërmjetësuara në Doha të Katarit, kanë shënuar “përparim pozitiv”, kanë bërë të ditur zyrtarët katariotë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Katarit, palët kanë diskutuar çështje të lidhura me një memorandum mirëkuptimi dhe janë pajtuar që negociatat të vazhdojnë në një fazë të mëvonshme.

Zëdhënësi i ministrisë, Majed al-Ansari, ka thënë se takimi i radhës do të caktohet “sa më shpejt që të jetë e mundur”, pas përfundimit të ceremonive mortore për ish-udhëheqësin suprem të Iranit, të planifikuara nga 4 deri më 9 korrik, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, sipas një burimi diplomatik, paralelisht me këto zhvillime po zhvillohen edhe bisedime teknike në nivel të ulët, përmes ndërmjetësuesve nga Katari dhe Pakistani.

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar për CNN se diskutimet për çështjen bërthamore iraniane pritet të fillojnë së shpejti, duke theksuar se “bisedimet po ecin mirë”.

Në të njëjtën kohë, situata në rajon mbetet e tensionuar.

Irani ka paralajmëruar një “përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme” ndaj çdo sulmi izraelit, duke i bërë thirrje edhe Shteteve të Bashkuara që të frenojnë aleatin e tyre.

Paralelisht, Marina amerikane ka nisur kërkimet për një pjesëtar të ekuipazhit të zhdukur, pasi një helikopter MH-60S Sea Hawk ka bërë ulje emergjente në Detin Arabik. Ende nuk dihen shkaqet e incidentit.