Daut Dauti, Shkup
Lajm i hidhur largimi i Nijazi Muhamedit, humbëm një koleg dhe mik të sinqertë! Humbi gazetaria jonë një penë të shkëlqyer, të mprehtë dhe tepër inventiv.
Të jesh ndër të parët, nuk është pak në çfarëdo fushe a veprimtarie. Por të jesh ndër ata të paktë që e kanë filluar dhe pastaj zhvilluar ndër dekada gazetarinë televizive në gjuhën shqipe në Maqedoni, kjo është pjesë e historisë.
Nijazi Muhamedi ishte aty kur duhej të ekipohej redaksia e TV Shkupit në gjuhën shqipe, të përvetësonte teknikën e gazetarisë televizive, së pari për vete bashkë me kolegët tjerë, e pastaj dhe t’ua përcjellë gjeneratave pasuese në zhvillimin e kësaj redaksie deri në shndërrimin në kanal të veçantë. Kontributi i tij është në ngritjen e cilësisë së gazetarisë, pasi duke qenë vetë krijues, do ta përcillte kreativitetin e tij në çdo emision a kontribut televiziv, dhe tek çdo i ri që do të vijë në redaksi. Aty ushtroi profesionin si gazetar, redaktor dhe në fund edhe si zv.drejtor i RTM-së.
Në anën tjetër, ai ishte një intelektual i veçantë, me njohuri të gjera në fushën e modeleve politike për një shoqëri heterogjene siç është Maqedonia dhe me ngulm angazhohej në implementimin e standardeve më të avancuara të barazisë. Kur ndodhi botimi i Enciklopedisë së Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve me shumë përmbajtje diskutabile për shqiptarët, Nijazi Muhamedi u ngrit mbi zhurmën që u bë atëherë duke iu përgjigjur kësaj Akademie me një botim të veçantë me tekste të përmbledhura “MAQEDONIA SHQIPTARE”, një punë kolosale që mund ta bëjnë vetëm institucionet…
Nijazi Muhamedi i mbeti besnik gjer në fund profesionit dhe angazhimit intelektual, i parehatshëm dhe i papajtueshëm asnjëherë me realitetin, gjithnjë duke synuar vlera më të larta si në fushën e profesionit, si në fushat shoqërore, si në atë krijimtarisë. Kam pasë ndarin ta kem mik dhe koleg që shpesh na janë gërshetuar edhe rrugët profesionale, siç dëshmon edhe këto fotografi kur patëm qenë bashkë në një delegacion të shkrimtarëve të Maqedonisë në Shqipërinë ende komuniste, në vjeshtë të vitit 1990(Nijaziu është djathtas në foton e parë(bashkë me shkrimtarët Jevrem Bërkoviq, Mateja Matevski dhe Todor Çallovski) dhe në mes në të dytën(ku bashkë jemi me të birin e Sterjo Spasses, Ilindenin). Në fotogrfinë e fundit, bashkë me të ndjerin Alush Kamberin, ishin myasfirë të rregullt të Festivalit të Rrushit në Bojanë).
Njerëzit e dijes i do edhe Perëndia, ndaj dhe Nijaziu shpresojmë ta ketë një vend të merituar në botën e përjetshme…!
Maqedoni Daut Dauti: Nijazi Muhamedi, gazetari që shënoi epokën e gazetarisë televizive në...





