Lëmsh me të dhënat për pranimin e ulët të shqiptarëve në Shkollën e Mesme Policore. Pas presionit të shtuar në opinion për pranimin e vetëm 3% të kandidatëve shqiptarë në Shkollën e Mesme Policore, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni u arsyetua se shqiptarët kanë qenë të painteresuar duke publikuar të dhëna për numrin e kandidatëve që kanë aplikuar. Sipas Isenit, në konkurs prej 509 kandidatëve, vetëm 29 apo 5,7% kanë qenë shqiptarë, ndërsa prej tyre 13 janë pranuar.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme as nuk i merr parasysh deklaratat e Astrit Isenit, madje i përgënjeshtron të dhënat e tij.
“Nuk kemi mundësi të japim informatë të saktë për numrin e aplikuesve sipas përkatësisë etnike pasi në shpalljen publike për Shkollën e Mesme të Policisë nuk kishte obligim për aplikuesit që të njëjtit të deklarohen për përkatësinë e tyre etnike”, thonë nga MPB për Alsat.
Gjatë ditës BDI-ja ka publikuar një listë me emra, që sipas tyre zëvendësministri gënjen, pasi numri i kandidatëve shqiptarë ka qenë shumë më i lartë.
“Plot 105 kandidatë shqiptarë kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet për pranim, por nuk janë pranuar. Kjo e rrëzon përfundimisht arsyetimin e Astrit Isenit, i cili për të mbrojtur një vendim që dëmton rëndë përfaqësimin e shqiptarëve, ka zgjedhur të manipulojë opinionin publik me të pavërteta”, thonë nga MPB.
Nga Ministria e Brendshme, krahas përgënjeshtrimit për numrat e Isenit, përgënjeshtrojnë edhe numrat që i publikoi BDI.
“Nuk është listë e MPB-së dhe e njëjta nuk përmban emra të aplikuesve për Shkollën e Mesme Policore”, shtojnë nga MPB për Alsat.
Ndërkohë Astrit Iseni thotë se emrat që i ka publikuar BDI, janë kandidatët për policë e jo për Shkollën e Mesme Policore.



