Qytetarët ankohen për papastërtitë dhe erën e keqe pranë kontejnerëve

Mbeturinat dhe sidomos mospastrimi i hapësirave ku qëndrojnë koshat përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve. Era e pakëndshme përbën shqetësim të madh për qytetarët të cilët ankohen për papastërti në kryeqytet, sidomos kur virusi Ethet e Nilit Perëndimor, i cili shkaktohet nga pickimi i mushkonjave është përhapur në masë të madhe.

“Shkaku kryesor është higjiena, por edhe moti ndikon. Janë dy muaj vetëm vapë, vetëm nxehtësi. Duhet të pastrohet dhe të ruhet higjiena. Qytetarët duhet të mirëmbajnë higjienën, ndërsa më pas ekipet kompetente duhet t’i mbledhin mbeturinat. Duhet të ketë organizim“, tha një qytetar.

“Për mushkonja as mos pyet, ka mushkonja shumë. Ka ujë shumë, aty ku ka ujë ka edhe mushkonja, duhet të spërkaten”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Këtu gjithkund ka problem me mbeturinat por është fakt që duhet të jepet pak më shumë vullnet dhe të pastrohet sepse është e vërtetë që pësojnë fëmijët, njerëzit, pësojnë të mëdhenjtë. Por mendoj që ngadalë do të zgjidhet ky problem”, thotë qytetari.

Nga ndërmarrja “Higjiena Komunale” thonë se vazhdimisht janë në terren për të pastruar mbeturinat. Për mbetjet afër koshave akuzojnë qytetarët e pandërgjegjshëm./Alsat.mk.