ICC do t’i bashkohet ekipit për hetimin e krimeve të dyshuara të luftës në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) do t’i bashkohet ekipit që heton akuzat për krime lufte në Ukrainë, tha sot agjencia e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin në drejtësinë penale, Eurojust.

Prokurorët e përgjithshëm nga Lituania, Polonia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për pjesëmarrjen e parë të gjykatës ndërkombëtare për krimet e luftës në një ekip hetimor, tha prokurori i ICC-së, Karim Khan.

“Me këtë marrëveshje, palët po dërgojnë një mesazh të qartë se do të ndërmerren të gjitha përpjekjet për të mbledhur në mënyrë efektive prova mbi krimet kryesore ndërkombëtare të kryera në Ukrainë dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, tha Eurojust në një deklaratë.

Muajin e kaluar, Khan hapi një hetim mbi krimet e mundshme të luftës të kryera nga forcat ruse.

Ukraina, Lituania dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje për të krijuar një ekip për të mundësuar shkëmbimin e informacionit dhe hetimin për krimet e dyshuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit, raporton Sky News. /kp